Trafiku Urban

Djali i asamblistit të LDK-së bëhet ushtrues detyre i ndërmarrjes 'Trafiku Urban'

Qendrim Vitija, djali i asamblistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në kryeqytet, Milazim Vitija, është zgjedhur ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjen publike lokale “Trafiku Urban”.

Ky vendim i bordit të kësaj ndërmarrje, ka ardhur pas shkarkimit të Burim Marajt nga ky post.

Në këtë pozitë Qendrim Vitija është zgjedhur më 31.07.2024. Kjo është bërë publike edhe në faqen zyrtare te Trafikut Urban tek opsioni i kryeshefit. 

KALLXO.com ka biseduar me Qendrim Vitijën i cili deklaroi se ka qenë pretendenti i vetëm për këtë pozitë pasi ka qenë drejtor i Prokurimit. 

“Po jam emëru, me vendim të bordit sepse në momentin që shkarkohet një kryeshef zgjedhet një ushtrues detyre deri në momentin e shpalljes së konkursit… Jo [nuk ka pasë ndikim], realisht kam qenë zgjedhja e vetme për me ushtru këtë post, e nuk ka pas ndikim politik” – ka thënë Vitija më 22.08.2024.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një deklaratë edhe nga Burim Maraj për arsyet e shkarkimit të tij, por i njëjti deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Nga viti 2015 Qëndrim Vitija ka mbajtur pozitën e drejtorit të Prokurimit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Trafiku Urban” SH.A.

Vitija nga shtatori të vitit 2020 deri ne shtator 2023 ishte i zgjedhur Kryesues i Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike Komunale “Kuzhina Qendrore”.

KALLXO.com ka raportuar më 11.02.2023 se Edona Vitija, vajza e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Milazim Vitija, është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme për një pozitë brenda Ndërmarrjes Publike Lokale “Kuzhina Qendrore”. Babai i Edonës, Milazim Vitija, e kishte mohuar asokohe që të ketë pasur ndikim në këtë përzgjedhje.

Ndërkaq së fundmi, 14.08.2024, KALLXO.com raportoi për një emërim tjetër me prapavijë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Bardh Krasniqi i cili deri në korrik të këtij viti ishte drejtor i Sportit në kryeqytet, tash është emëruar kryeshef i Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.

Për rreth 15 muaj, ai ka qenë kryeshef i Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”, derisa më 22.02.2024, Përparim Rama e prezantoi si drejtor të ri të Sportit, pas prishjes së koalicionit me PDK-në.  Ai kishte qenë këshilltar i Përparim Ramës dhe kandidat për asamble nga LDK.