Ditë e zezë, 5 të vdekur në rrugët e Kosovës

Të dielën rrugët e Kosovës janë përgjakur nga aksidentet rrugore.

Pesë persona kanë humbur jetën në dy aksidente.

Në të parin, që ka ndodhur rreth orës 15:30 në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, kanë humbur jetën 4 persona, kur vetura në të cilën gjendeshin ata u godit në mënyrë ballore nga një veturë tjetër.

Policia e Ferizajt ka njoftuar se viktimat nga ky aksident janë : N.R., 39-vjeçar (drejtues i automjetit), Xh.R., 60-vjeçare , S.R. 32-vjeçare dhe Y.R. 12-vjeçar.

Ndërkaq, janë lënduar edhe 3 personna të tjerë: I.R, 32-vjeçare, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, e cila ishte pasagjere në automjetin VW Golf, dhe Y.H. 21-vjeçar dhe L.H. 21-vjeçar, të cilët ishin pasagjerë në automjetin Audi. Këta pasi kanë marrë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj janë liruar.

Lidhur me këtë rast është arrestuar një i dyshuar, 22-vjeçar.

“Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E.M ( M/SHK/) 22 vjeçar po qarkullonte, nga drejtimi i Ferizajt në drejtim të Shtimes dhe me të arritur në fshatin Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin VW Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt , nga Shtimja në drejtim të Ferizajt”, thuhet në komunikatën e forcave të rendit.

Në anën tjetër, një aksident tjetër me fatalitet u raportua te ketë ndodhur sonte rreth orës 19:00.

Policia njoftoi se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe u vetaksidentua për vdekje.

“Rreth orës 19:00, ne rr. Pejë -Prishtinë është raportuar për një aksident të rëndë trafiku, ku dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe dhe është vetë aksidentuar për vdekje. Njësitet relevante policore dhe ato të emergjences kanë dalë në vendin e aksidentit”, ka konfirmuar Policia e Kosovës për KALLXO.com

Ndërlidhur me njoftimin e fundit, forcat e rendit apeluan vozitësit për respektim të rregullave të trafikut.

“Kërkohet kujdes, respektim i rregullave ne rrugë në veçanti respektim i kufizimeve te shpejtësisë ne rrugë, sepse humbja e jetëve njerëzore nëpër rrugët tona si pasojë e shpejtësisë referuar edhe raportimeve sot, është tepër shqetësues për te gjithë’, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.