Ditari, Foto: Freepik

Ditari i Gazës, pjesa e katërt: "Kësaj radhe ishte një thashethem, po herën tjetër?"

Ziadi, një palestinez 35-vjeçar, rrëfen ditët e fundit në Gaza: kalvarin e gjetjes së gazit për të gatuar, thashethemet për evakuim dhe frikën se nuk ka ku të ikë.

E martë, 17 tetor

Ora 8 e mëngjesit. Dëgjoj tinguj jashtë dhomës së ndenjes ku po flemë. Mund të them që dikush po i mëson fëmijët.

Kur vjen gjyshja për të parë nëse kemi fjetur mirë, na thotë se ia kushton një orë në ditë mësimit të nipërve të saj. “Nuk ka rëndësi se çfarë u mësoj atyre për sa kohë që ata po mësojnë diçka të re. Nuk duhet të humbasim shpresën, dhe këta fëmijë janë e ardhmja.” Nipi më i madh, Radëa, na bashkangjitet. E pyes se çfarë mësoi sot. “Po mësoj tabelën e shumëzimeve. Tabela me tetë është më e vështira.”

Ahmedi, vëllai i mesëm, vjen për të na përshëndetur. Është e qartë se nuk ka bërë gjumë të mirë. Ne e dimë se ai dhe vëllai i tij i madh bëjnë turne gjatë natës. “Ne duhet të sigurohemi që nëse ndodh diçka e keqe, njëri prej nesh është zgjuar dhe i aftë t’i shpëtojë fëmijët të paktën,” thotë ai.

Në përgjithësi, jam një person pozitiv, por, gjatë këtyre kohërave, optimizmi i Ahmedit më mërzit. Nëse parashikimet e tij do të kishin qenë të vërteta, përshkallëzimi do të kishte përfunduar ditë më parë. Çdo ditë, ai vjen dhe thotë se do të përfundojë së shpejti. Të gjithë i hedhim një vështrim mosbesimi. Nuk pajtohemi me të, sepse realiteti rreth nesh nuk tregon shenja zgjidhjeje. Situata është e paqartë dhe e frikshme dhe asgjë nuk është e garantuar.

Ora 10 e mëngjesit. “Do të na mbarojë gazi i gatimit”, njofton gjyshja. Djali i saj kërkon për tuba gazi në dispozicion, por nuk mund të gjejë asnjë. Familja është e shqetësuar – ata duhet të gatuajnë, të ziejnë ujë për ta përgatitur qumështin e fëmijëve dhe ndonjëherë të ziejnë ujë për t’u pastruar.

U them atyre se kemi një bombolë shtesë gazi në shtëpinë time, në qytetin e Gazës. Por kush do të shkojë ta marrë atë? I telefonoj çdo personi dhe taksisti që njoh. Askush nuk ishte në dispozicion … derisa portieri i ndërtesës sonë më tha se familja e tij kishte ikur në të njëjtën zonë ku ne ikëm. Ai më ofroi ta sillte tubin e gazit me vete gjatë rrugës për t’i vizituar, dhe unë i ofrova ta paguaja taksinë.

E kuptoj që taksistët po rrezikojnë jetën, por çmimi që kërkoi shoferi është tejet i madh! Është tetë herë se çmimi i rregullt i një taksie private (jo një transporti publik). Filloj të bërtas në telefon, pastaj arrij ta ul çmimin në katërfishin e çmimit të zakonshëm. I them vetes se kjo është e vetmja mundësi. Na duhet gazi.

Mesditë. Gjyshja vjen të na pyesë se çfarë të përgatisim për drekë. Familja ndihet fajtore që prej ditëve që kemi shkuar në shtëpinë e tyre, mezi kemi ngrënë. Në Gaza, edhe në kohërat më të errëta, nëse vizitoni shtëpinë e dikujt, ai duhet t’ju ushqejë dhe të jetë mikpritës i mirë. Ajo na jep dy opsione.

E shikoj, buzëqesh dhe i them: “Të dyja janë opsione të mira. Gjithsesi, atë që nuk e hamë sot, do ta hamë nesër. Nuk është se do të largohemi së shpejti. Kjo situatë e rrezikshme nuk po merr fund.”

Ora 2 pasdite. Organizojmë çantat tona për herë të 10-të. Herë pas here i nxjerrim gjërat për t’i përdorur ose veshur dhe bëhet e vështirë t’i kthejmë ato në mënyrë të organizuar. Gjithmonë sigurojmë se cilat çanta janë prioriteti kryesor dhe cilat t’i lëmë pas nëse duhet.

Motra ime më jep portofolin e saj për ta futur në një nga çantat, më pas më kërkon t’ia kthej. Ajo merr pasaportën dhe thotë: “Më lejota mbaj pasaportën me vete. Nuk i dihet kurrë, mund të jetë e nevojshme të më identifikosh në rast se ndodh diçka e keqe.”

Ora 4 pasdite. Më kujtohet shoferi që na solli nga Gaza kur ikëm për të tretën herë. E vlerësoj sa i qetë ishte ai kur pa se sa të tmerruar, të zemëruar dhe të humbur ishim unë dhe motra ime. Ndërkohë që ngiste automjetin, mori një telefonatë dhe filloi të diskutonte atë që dukej si një temë e rëndësishme. Zakonisht, do t’i kisha kërkuar një shoferi ta ndalonte automjetin derisa të bisedonte me telefon makinën ose të më linte të dilja. Por në atë rast nuk bëra asgjë.

Kur mbaroi, më tha se ishte përgjegjës për ngasjen e dy vajzave të një çifti të divorcuar. Çifti nuk komunikojnë fare dhe shoferi është ndërmjetësi mes tyre, edhe nëse çështja nuk lidhet me udhëtimin e vajzave. Gruaja vendosi të ikte, por burri nuk e bëri, dhe ai kishte fëmijët. Ajo thirri shoferin për ta bindur të shoqin që t’i merrte vajzat tek ajo. Shoferi i tha asaj se ai nuk mund të ndërhynte në një çështje kaq kritike. Ai tha se i vinte keq për nënën dhe vuajtjet e saj. Më vinte keq për vajzat.

Ora 6 pasdite. Një miku im, i cili iku me familjen nga qyteti i Gazës, më tregon për fqinjin e tij që qëndroi dhe tani po kujdeset për rreth 17 mace. Katër prej tyre janë kafshë shtëpiake, pronarët e të cilave i lanë me atë burrë, dhe të tjerët janë mace rruge që, pas shkatërrimit, nuk gjetën ushqim – dhe askënd për t’i ushqyer. Pasi burri ushqeu një mace endacake, u bashkuan pjesa tjetër e “miqve” të saj – dhe tani ai është përgjegjës për të gjitha. Shoku im është i shqetësuar pasi ky njeri tani po mendon të ikë. Shpresoj që situata të përmirësohet dhe ai të mos largohet. Për të dhe familjen e tij, dhe gjithashtu për macet.

Ora 8 në mbrëmje. Po mundohem të fle. Për disa arsye, mendoj për pyetjen e famshme të intervistës: ku e shihni veten pas pesë vitesh? Tani për tani, gjithçka për të cilën po mendoj është se çfarë do të ndodhë me mua brenda pesë minutave të ardhshme. Nuk e kam mendjen të qartë për të menduar për ndonjë gjë – por një gjë për të cilën jam i sigurt është se, nëse ia dalim të shpëtojmë gjallë nga këtu, nuk do të jemi më asnjëherë të njëjtët.

Ora 9 në mbrëmje. Ishte një thashethem.

Pas orës katër nuk sheh njeri në rrugë. Të gjithë rrinë në shtëpitë e tyre për shkaqe sigurie. Në pamundësi për të fjetur, shtrihem në divan duke u përpjekur të mendoj gjëra për të më qetësuar kur papritmas dëgjoj shumë zhurma jashtë. Shkoj në dhomën tjetër për ta pyetur familjen se çfarë po ndodh. Sapo hap derën, dëgjoj dikë që thotë: “Të gjithë po evakuohen”.

As arsyen nuk e pyes, i them motrës sime që është në telefon se njerëzit po evakuohen. Të dy jemi në panik, mezi i fusim macet në karroca dhe marrim çantat me përparësi. Nga frika e saj, motra ime hedh celularin në dysheme, merr macet dhe zbresim poshtë.

Gjatë zbritjes, fëmijët qajnë, të gjithë po u thonë se është mirë dhe asgjë nuk do të ndodhë. Por ne jemi të tmerruar. Sapo dalim në rrugë, shohim një numër të madh njerëzish. Është errësirë e plotë, gjë që e bën situatën më të tmerrshme. Motra më shikon dhe më thotë: “Ku të shkojmë? Nuk ka mbetur vend?”

Papritur, dëgjojmë një të ri, rreth të 20-ave, duke bërtitur dhe duke u kërkuar njerëzve të kthehen në shtëpitë e tyre. Shkojmë tek ai dhe zbulojmë se është një thashethem, se askush nuk i është kërkuar të evakuohet, por një familje vendosi të evakuohej natën sepse “dikush i tha diçka dikujt”. Kur njerëzit i panë të largoheshin, të gjithë rreth tyre filluan të largoheshin. Ishte efekti i ortekut të borës.

Ndihemi të tmerruar derisa të kthehemi; qëndrojmë për 10 minuta derisa shohim njerëz të tjerë që kthehen dhe vendosim ta bëjmë të njëjtën gjë. Ngjitemi lart dhe Fadeli po bërtet: “Sikur se kemi energji të mjaftueshme për t’u marrë me thashethemet. Fëmijët e mi janë të tmerruar, të gjithë fëmijët ishin të tmerruar.”

Ahmedi e ndjek dhe na tregon se djali i fqinjit vrapoi me vrap nga shkallët aq shpejt sa u rrëzua dhe theu dorën.

Jemi evakuuar disa herë dhe kemi menduar për çdo skenar që të jemi gati, por duket se trupat tanë nuk janë në gjendje ta përballojnë më këtë stres psiqik. Motra ime nuk mund të ngrihet në këmbë dhe unë po dridhem. Fëmijët po qajnë dhe burrat po bërtasin të zemëruar. Pas gjysmë ore vjen gjyshja me filxhanë çaj me sherbelë për t’i qetësuar të gjithë.

Ora 11 në mbrëmje. Unë dhe motra ime kemi mbetur vetëm në dhomë. Ajo më shikon dhe më pyet: “Këtë herë ishte një thashethem, po herën tjetër? Kemi ikur tri herë, çdo vend është i rrezikshëm, vdekja është rreth nesh dhe asgjë pozitive nuk po ndodh. Nuk ka mbetur vende për të ikur. Nëse nuk do të ishte një thashethem dhe do të ishim të detyruar të evakuoheshim…”

Ajo ndalon për pak kohë, por unë e di pyetjen e frikshme që do ta bëjë: “Ku?”/The Guardian

Përktheu dhe përshtati, Nuhi Shala