Foto: KALLXO.com

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, tryezë diskutimi e Kuvendit me shoqërinë civile

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë u hap tryeza e diskutimit mes Kuvendit dhe organizatave të shoqërisë civile me temën  “Të ruhen dhe promovohen parimet e demokracisë”.

Fridon Lala, drejtues i tryezës dhe deputet i LVV-së, hapi diskutimin duke shpalosur disa nga aktivitetet e organizatave dhe Kuvendit në hartimin e programeve të përbashkëta.

“Parlamenti i Kosovës i bashkohet parlamenteve  botërore që festojnë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë”- u shpreh ai.

Në diskutim mori pjesë edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila përmendi rolin e shoqërisë civile por edhe mediave në shoqëri si domosdoshmëri.

“Sot kemi filluar sesionin vjeshtor të Kuvendit, ku çdo vit Kosova angazhohet ta bëjë vendin demokratik. Kuvendi ka vazhduar të jetë derë e hapur për mediat… Kosova ka shoqëri civile që ka ndihmuar shtetndërtimin e saj” – tha Deliu.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, po ashtu përmendi rolin e bashkëpunimit qytetarë-Qeveri dhe ndikimin që ka në përmirësimin e demokracisë.

“Hapja dhe transparenca është shtyllë e ndërtimit të demokracisë. Për Parlamentin është e rëndësishme sasia dhe cilësia në opinion” – theksoi Krasniqi.

Gjatë ditës është mbajtur forumi i transparencës në Kuvend, në të cilin kanë marrë drejtoresha e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Aenhird Spence, të shoqëruara nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se institucioni që ai drejton synon ta bëjë promovimin e demokracisë dhe të jetë sa më transparent.

Këto deklarime Konjufca i bëri në Forumin e Transparencës Parlamentare në kuadër të Ditës së Demokracisë. “Kuvendi i Kosovës, ngjashëm sikurse viteve të tjera, në këtë ditë organizon aktivitete që kanë për qëllim hapjen e Kuvendit për të gjithë qytetarët, ata të cilët e bëjnë të mundur jetësimin e zgjedhjeve dhe qeverisjen demokratike” – ka thënë Konjufca.

Në komunikatën për media të Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se Konjufca ka thënë se me anë të shënimit të kësaj dite synohet të vihen në pah arritjet shoqërore dhe vlerat e demokracisë në sistemet e qeverisjes demokratike.

“Kuvendi synon që ta bëjë promovimin e demokracisë, ta hapë dhe ta bëjë sa më transparent këtë institucion. Transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet kryesore për funksionimin e demokracisë. Po ashtu, synojmë që t’i bëjmë sa më llogaridhënëse institucionet publike”- citohet të ketë thënë Konjufca.

Të pranishmëve iu adresua edhe drejtoresha e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, e cila duke uruar për Ditën e Demokracisë, tha se ndjehet krenare për punën e përbashkët dhe për arritjet që Kosova ka shënuar ndër vite. “Jam krenare për punën që SHBA-të kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së Kosovës, si dhe për arritjet që Kosova ka shënuar në ndërtimin e një demokracie sa më të fuqishme përgjatë njëzet viteve”- theksoi Soderberg.

Po ashtu, edhe koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, në fjalën e saj theksoi se Dita e Demokracisë shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën, duke e vënë fokusin e saj te funksionimi i lirë i medias dhe tek objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne duam të theksojmë rëndësinë e një medie të lirë e plurale për të luftuar lajmet e rrejshme dhe gjuhën e urrejtjes. Pastaj, objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm kanë për qëllim të mos e lënë askënd prapa” – theksoi Spence.

Gjatë ditës vazhduan aktivitetet e tjera me garën e lojës së shahut nga personat e verbër, për të përfunduar me aktivitete që afirmojnë demokracinë.