Presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Vitisë Sokol Haliti, më 15.08.2024. Foto; KALLXo.com
Dita e Zojës së Madhe në Letnicë, Haliti: Presim deri 6 mijë vizitorë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin në vazhdën e takimeve të saj me kryetarë të komunave. Më pas, ka vizituar fshatin Letnicë të kësaj komune, ku sot më 15.08.2024, kremtohet e “Dita e Zojës së Madhe”.
Haliti, ka thënë se për nder të Ditës së “Zojës së Madhe”, presin mijëra vizitorë jo vetëm në fshatin Letnicë, por edhe në pjesë tjera të Vitisë.
“Unë kam arritur që sado pak ta njoftoj për rrjedhat dhe zhvillimin e komunës sonë, problematikat, sfidat që i kemi, që janë komunale dhe shtetërore, sepse disa aspekte e kalojnë kufirin administrativ të komunës dhe kompetencat e saj”- tha Haliti gjatë konferencës.
Haliti tha se presin që rreth 5-6 mijë qytetarë nga e gjithë Europa ta vizitojnë Letnicën, vendin prej të cilit Nënë Tereza nisi pelegrinazhin.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj në këtë fshat që njihet si fshat i kroatëve, tha se Letnica nuk është thjeshtë vetëm një fshat, por është një vend ku takohen e shenjta dhe e zakonshmja.
“Ku e nisi rrugëtimin e saj drejtë shërbimit të përjetshëm dhe duke shndërruar në nënën tonë të përbotshme, në nënë e gjithë njerëzimit. Nënë Tereza u shndërrua në simbol të dhembshurisë dhe të mohimit dhe përkushtim të pa lëkundur në shërim të njerëzimit”- tha Osmani.
Pas takimit me Halitin, ajo ndër të tjera tha se Vitia është shembull i rënies së rasteve të dhunës në familje, si shkak i ndërmarrjes së masave për luftimin e kësaj dukurie.
“Është shumë inkurajuese të shohim se si Vitia është një prej komunave me shembullin më të mirë se si luftohen dukuritë devijonte, kriminale. Si shembull Vitia në krahasim me vitin e kaluar ka rënie 100 për qind të dhunës mbi baza gjinore”- tha Osmani në konferencë për media më 125.08.2024.
Presidentja tha se Vitia është shndërruar në shembull të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Është një komunë me mbi 30 memorandume bashkëpunimi” – ka thënë Osmani.
Letnica është një fshat i vogël i vendosur në juglindje, në Viti, i izoluar përgjatë një qorrsokaku që ndalet jo shumë larg vargmalit që ndan Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
KALLXO.com në fund të vitit 2023, kishte publikuar një reportazh për jetën që bëjnë kroatët autoktonë në Letnicë, traditat, zakonet, përditshmërinë e ndër të tjera edhe për kremtimin e Ditës të Zojës së Madhe.