“EtnoFest 2024”: Foto: Etnofest.
Dita e pestë e “EtnoFest 2024”, e vjetra në dritën e të resë!
“EtnoFesti” po bëhet vend takim midis miqve, artistëve, valltarëve, poetëve, takim i përzemërt me mërgimtarët dhe të gjithë atyre që ia mësyjnë Kukaj. Gjithandej nëpër ambientet e Etnofestit” fotografi të bukura të takimeve të përmbushura lumturisht e përmbajtësuar me buzëqeshjen e fëmijëve plotë kureshtje, derisa me prindërit e tyre vizitojnë muzeun etnografik pastaj lexojnë pikturat e Kaqusha Jasharit në temën: “Kulla, lulet dhe dielli”, në anën tjetër ekspozita me punime qeramike e Laura Sllamniku – Kryeziu, “Vallëzime dheu e zjarri” , derisa shkelin skenën e amfiteatrit takojnë Malin, qenin e racës e vjetër të Sharrit, ndalen në muzeun e vogël për t’i prek me dorë veglat e vjetra punës në miniaturë.
Vazhdojnë tek galeria tjetër ku janë ekspozuara pikturat e Nusret Salihamixhiqit, “Vallëzime ngjyrash”. Para se të kalojnë tek galeria e radhës takohen me vullnetarët e “Etnofestit” të cilët shërbejnë pa përtesë, ndalen tek kuzhina tradicionale derisa poshtë në amfiteatrin e vogël Mario Biagini vazhdon “laboratorin Grotovski” me një etje e pashuar për teatrin. Pastaj, galeria e radhës ku kanë mundësinë për të shikuar punimet e Yllka Bradës dhe Jakup Ferrit “Ten ten”, nëpër labirinthet e objektit dalin tek “Gjurmë lumturie”, grafika të Teuta Ibriqajt, prej aty tek fotografitë dëshmi të vjetërsisë së “Krajës dhe Ulqinit” të Korab Krajës. Pastaj në galerinë e radhës ndeshen me “Vibracionet spirituale” në pikturat e skulpturat e Alben Nezirit, kalojnë nëpër skenën e “etno nejës” deri te hapësira ku secili vizitor mund ta përcjell e të mësoi për procesin e pjekjes së filisë ndërsa në sfond ekspozita me temë ilire, “Frymë antike” e Diella Valës. Pastaj poshtë del tek skena amfiteatrit ku jepen shfaqjet teatrore, pafundësisht, mundësi për të kujtuar e shijuar, e ndjerë vlerat e ngjallura etnike.
I gjithë kompleksi i “EtnoFestit” është i dizajnuar ashtu që për asnjë moment syri nuk të mbetet thatë ngado që të nisesh takohesh me vlera të vjetërsisë trashëgimore ashtu siç është konceptuar “EtnoFest” që e vjetra të shihet e përjetohet në dritën e të resë asaj që e quajmë moderne por që vlerën e ka tek trashëgimia. Ky fërkim i të vjetrës me të renë prek atë nukleusin e krenarisë së përkatësisë që prodhon lumturi e cila e përshkon gjithë rrjedhën e programit të “EtnoFestit” nga dita në ditë duke mos e lënë as natën të qetë nga tingujt e muzikës.
Dhe kemi mbërri në ditë-natën e pestë.
Frymën e lumturisë e sollën ansambli “Zëri i Kamenicës”, udhëheqës Albulen Spahiu, me valle tradicionale dhe valle të koreografuara. Sidomos entuziazëm sollën me vallen bazuar në këngën e përpunuar “Baresha” të Nexhmie Pagarushës. Dy solistët e valles me elemente të lojës teatrore ndërtuan një raport dashuror duke kënaqur mysafirët e festivalit preken dejt e lumturisë, asaj ndjenje që mbushte vallja ngazëlluese plotë lumturi të cilat valltarët e “Zërit të Kamenicës” e interpretuan hareshëm me vallëzim që rrezatonte dashuri, liri, gëzim e lumturi.
Pas valleve, Dilaver Kryeziu bëri një kurs të shkurtër të vallëzimit për vallen epiko lirike të Rugovës. Për kënaqësinë e mysafirëve anëtarët e ansamblit bënë fotografi.
Nata u përmbyll me grupin “Tonik” nga Ferizaj dhe DJ Cabo në një atmosferë festive me ushqime tradicionale, takime, njohje, debate që arsyetojnë dhe përmbajtësojnë “Etonofestin” një frymë ngazëlluese e prekur nga lumturia.