Dita e mesazheve nga distanca Hoti-Haradinaj

Dy zyrtarët e partive politike të cilët njëherësh janë edhe partnerë të koalicionit qeverisës, këtë fundjavë janë përfshirë në  “përplasje” virtuale.

Bëhet fjalë për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti që vjen nga radhët e LDK-së, dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinajt.

Shuarja e  Departamentit Special Anti-Korrupsion nga ana e Qeverisë së Kosovës ditë më parë, është bërë temë e replikave në distancë mes Hotit dhe Haradinajt.

Pasditen e së shtunës ish-kryeministri Ramush Haradinaj kundërshtoi vendimin e ekzekutivit për zhbërjen e task-forcës kundër korrupsionit.

Haradinaj ka deklaruar se shkarkimi i task-forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.

“Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka theksuar se gjatë mandatit të tij si kryeministër është ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë.

“Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njejtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, thuhet në publikimin e tij.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigjja e kryeministrit Hoti, i cili tha se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë”, shkroi Hoti në Facebook.

Hoti ka shkruar se kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve.

“Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, thuhet në publikimin e tij.

Në anën tjetër, sërish Haradinaj i replikoi Hotit.

“Gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”, thuhej në publikimin e tij në Facebook.

Edhe mbrëmja e së shtunës, i gjeti të dy politikanët, duke i dërguar mesazhe njëri-tjetrit në distancë, pa përmendur emra.

Hoti në Facebook ka deklaruar se  puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.

“Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush.  Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, thuhet në publikimin e tij.

Ndërkaq, pak minuta më vonë, sërish Haradinaj i reagoi Hotit.

“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave: ‘Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive’”, ka shkruar Haradinaj.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka zhbërë task-forcën për luftimin e korrupsionit. Madje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar se e kanë hequr nga diskursi fjalën “korrupsion”.

Komisioni Evropian e pati quajtur shqetësues shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga Qeveria Hoti.