Dita e Jasharajve të Prekazit - njëri u bë komandant e tjetri dorëzoi detyrën

Data e fundit e këtij muaji – 30 nëntor, ishte ditë që do të mbahet mend gjatë për dy anëtarë të familjes Jashari.

Pikërisht në këtë ditë, njëri prej tyre mori një pozitë të rëndësishme e tjetri e dorëzoi një pozitë po ashtu të rëndësishme.

Gjeneralmajor Bashkim Jashari sot u emërua komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Bashkim Jashari është i biri i Rifat Jasharit, vëllait të Adem e Hamëz Jasharit.

Emërimi i tij është bërë pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës.

Në anën tjetër, dita e sotme ishte e vështirë për kushëririn e tashmë komandantit, Bekim Jasharin. Ky është biri i heroit Hamëz Jasharit, vëllait të Adem Jasharit.

Bekim Jashari sot dorëzoi zyrtarisht postin e kryetarit të Komunës së Skenderajt, pasi humbi zgjedhjet komunale nga Fadil Nura i Partisë Demokratike të Kosovës.

Jashari mbajti vetëm një mandat katër vjeçar në krye të Skenderajt, ndonëse ambiciet e tij ishin të mëdha edhe për një mandat.

Gara në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor ishte e nxehtë në Skenderaj. Bekim Jashari krijoi listën e vetë të pavarur, e përballë kishin partinë që po luftonte me çdo kusht që mos ta hupte bastionin e vet. Por të lehta ishin zgjedhjet e 2017-es kur Bekim Jashari i hyri politikës për herë të parë.

PDK u tërhoq nga gara për ta përkrahur Bekim Jasharin.

Sot më 30 nëntor, Bekim Jashari zgjati duart me dy kundërshtarët e tij, Fadil Nurën dhe Sami Lushtakun.