Dita e Flamurit shënohet edhe në Adapazar

Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Lidhjen e Rinisë Shqiptare, u mbajt në Adapazar manifestimi për Ditën e Flamurit, njofton MDIS.

“Mysafirë ishin figura të larta të qytetit të Adapazarit dhe Stambollit, si dhe këshilltarë të ndryshëm e kryetarë të partive në pushtet. Manifestimin e përshëndeti kryetari i komunës së Adapazarit, Ekrem Yuce, i cili vlerësoi lart kulturën shqiptare dhe aktivitetet kulturore që organizohen në këtë qytet. Njëkohësisht, ai ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike”, thuhet në njoftim.

Programi kulturo-artistik u shfaq në praninë e afro 500 pjesëmarrësve.

“Grupet performuese që pasuruan këtë aktivitet ishin: grupi “Karshiakat” me muzikë folklorike, grupi ”Besa” me muzikë popullore, Imran Salkim me muzikë popullore dhe grupi “Albana” me  këngë e valle. Në fund të pjesës artistike-kulturore u shfaq një reportazh rreth organizimit të ndihmave për Shqipërinë me rastin e tërmetit, nga Lidhja e Rinisë Shqiptare”, përfundon njoftimi.