Dita e Fëmijëve, prindi pretendon se arsimtari e rrahu djalin e tij 13-vjeçar
1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve nuk ishte ditë feste edhe për një 13-vjeçar nga Harilaqi i Fushë-Kosovës.
D. B. po pretendon se fëmija i tij është rrahur nga arsimtari në shkollën “Bajram Curri”.
Për shkak të lëndimeve, D. B. e ka dërguar fëmijën për trajtim mjekësor.
Rastin thotë se e ka raportuar edhe në Polici.
Prindi i nxënësit ka thënë për KALLXO.com se ka shkuar dhe ka biseduar me mësimdhënësin dhe kur e ka pyetur se pse ia ka rrahur djalin, ai i ka thënë se “është halitë nxënësi”.
“Djali im është në klasën e 7-të dhe sot rreth orës 10:00 më ka thirrë në telefon dhe jam shku në shkollë. Aty e kuptova dhe e pashë që e ka rreh arsimtari. Kur e pyeta arsimtarin, ai e pranoi që e ka rreh sepse ‘u halit fëmija””, ka thënë për KALLXO.com prindi i fëmijës.
“Për besë m’u ka dukur shumë e rëndë. Unë i thash arsimtarit që ka pasur drejtë me e largu prej orës, ka pasur të drejtë edhe me ia qitë notën 1-sh, por nuk ka të drejtë me e rreh fëmijën”, ka thënë tutje prindi.
Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me drejtorin e kësaj shkolle, Tahir Shabanin, si dhe me arsimtarin, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Ndërsa drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Samir Shahini, nuk ka pranuar të deklarohet rreth rastit, duke u arsyetuar se e ka përfunduar orarin e punës.
“Unë e kam përfundu orarin e punës, thirrëm nesër në mëngjes dhe bisedojmë”, ka thënë shkurtimisht Shahini.
Ndërsa burime të KALLXO.com thonë se rasti është trajtuar nga Policia e Fushë-Kosovës.