Dita e Evropës, Kosova e vetmja që feston e pushon

Megjithëse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, Kosova në listën e festave zyrtare e feston 9 majin, Ditën e Evropës e për këtë ditë në shtetin më të ri evropian edhe pushohet, madje edhe nëse Dita e Evropës qëllon të jetë ditë vikendi, ajo zëvendësohet me një ditë mospune në fillim të javës.

Këtë vit kjo festë ka rastisur ditën e diel por për shkak të nenit 4 të Ligjit për Festa Zyrtare, institucionet pushojnë në ditën e parë të punës, andaj sot (e hënë) të gjitha institucionet publike nuk punojnë.

Përfaqësues të sindikatës se punëtorëve dhe komunitetit të biznesit, vazhdimisht e kanë konsideruar urgjente nevojën e trajtimit të Ligjit për festat zyrtare dhe largimin e traditës që festat që bien në fundjavë, të barten për ditën pasuese të punës.

Republika e Kosovës është vendi i vetëm në kontinentin e vjetër që për Ditën e Evropës pushon.

Asnjë vend tjetër evropian, as ata që i vunë themelet e Bashkimit Evropian, nuk pushojnë në këtë ditë, përveçse nëse bie ditë vikendi.

Shumë herë është përmendur ideja e reformimit të listës se festave zyrtare dhe ndryshimi i saj, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë.

Madje Kosova është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave për qarkullim të lirë të qytetarëve.

Kosova në listën e festive ka gjithsej 11 festa zyrtare.