Dita e dytë e armëpushimit, lirohen 90 të burgosur palestinezë

Armëpushimi i brishtë ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” ka hyrë në ditën e dytë – ka konfirmuar për BBC-në të hënën, më 20.01.2025, një qytetar nga Gaza – duke thënë se për herë të parë prej nisjes së luftës ka bërë gjumë të mirë “sepse jam ndier i sigurt”.

Ndërkohë, 90 të burgosur palestinezë janë liruar gjatë natës si pjesë e fazës së parë të armëpushimit – ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues Izraelit. Shumica prej të liruarve janë gra dhe fëmijë.

Më herët u liruan tri gra izraelite, përfshirë njërën me shtetësi të dyfishtë britanike e izraelite, nga “Hamasi”. Ato janë trajtuar tashmë në Spitalin izraelit në Tel-Aviv dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ka pasur ritakime emocionale në të dy anët: palestinezët janë pritur me përqafime dhe brohoritje prej familjeve të tyre, derisa Emily Damari, e cila ishte peng në duar të “Hamasit” ka shpërndarë një xhirim të momentit prekës të takimit me familjen e saj.

Armëpushimi në Gazë është fuqizuar pas një vonese të minutave të fundit, por gëzimi ka mbetur në hije pasi palestinezët janë kthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe ende nuk ka qartësi se çfarë do të sjellë e ardhmja – raportojnë korrespodentët e BBC-së.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com