
Dita e dhurimit vullnetar të gjakut - festë për banorët e Ratkocit të Rahovecit
Për 18 vite me radhë në fshatin Ratkoc të Rahovecit po organizohet dhurimi vullnetar i gjakut. Qytetarë të shumtë, çdo vit, më 5 shkurt, shkojnë në këtë fshat për të dhuruar në mënyrë vullnetare gjak.
Diana Hoti, pjesë e familjes e cila e kishte nisur këtë aktivitet, tregon se kur dhe si kishte filluar kjo ide.
“Për 18 vite ky aksion është zhvilluar pa ndërprerë dhe do të vazhdojë. Arsyeja pse ka filluar kjo iniciativë ka qenë një fatkeqësi që na ka ndodhur neve, kur edhe e kemi parë rëndësinë e gjakut. E kemi nisë bashkë me familje ndërsa sot jemi me bashkëfshatarët tanë. Duhet të theksohet se sa japim gjak burrat po aq edhe gratë janë dhuruese. Arsyeja pse kjo nismë ka vazhduar për vite me radhë dhe është kthyer në një ditë feste ka qenë bashkëpunimi i mirë me fshatin dhe Transfuzionin e Gjakut, i cili nuk na ka munguar asnjëherë dhe ka pasur raste kur data 5 shkurt ka qenë vikend dhe ata nuk kanë hezituar për me ardhë”- ka thënë Hoti.
Jemin Hoti, përfaqësues i fshatit Ratkoc, thotë se interesimi është i madh nga qytetarët për të dhuruar gjak. Ndërsa 5 shkurtin e quan ‘ditë festive’.
“Ne e quajmë ditë feste 5 shkurtin. Është viti i 18-të që qytetarët e presin me padurim dhe respekt për ata që kanë nevojë. Dita e dhurimit fillon në ora 10:00, njerëzit vijnë qysh në ora 9:00 dhe presin në radhë, interesimi është shumë i madh”- tha ai.
Qytetarët të cilit kishin ardhur edhe nga fshatra të tjerë e kanë quajtur akt human këtë aktivitet, ndërsa u bëjnë thirrje edhe të tjerëve të dhurojnë gjak.
Blerta Mehmeti, specialiste në Transfuzionin e Gjakut, tregon për bashkëpunimin me fshatin Ratkoc për ditën e dhurimit vullnetar të gjakut.
“Me fshatin Ratkoc kemi bashkëpunim shumë të mirë për dhurim vullnetar të gjakut, jemi shumë falënderues. Interesimi ka qenë i madh prej kur kemi ardhë, gjithçka ka shku mirë”- tha doktoresha Mehmeti.