Dita e 23-të e grevës, kryeshefi i Trepçës i takon minatorët
Një numër minatorësh janë duke protestuar te zyrat e menaxhmentit të Trepçës në Mitrovicë, pasi janë të pakënaqur sepse pagat e muajit qershor dhe korrik ende nuk u janë ekzekutuar.
Ekipi i KALLXO.com është duke ndjekur protestën e minatorëve, ku ka parë se disa pjesëtar të Policisë Speciale janë prezent.
Pas disa minutash që ka filluar protesta e minatorëve, , ata i ka pritur kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti.
Në anën tjetër, minatorët e kanë nisur mëngjesin e 23-të të grevës së tyre, më 01.08.2024.
Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak se tashmë janë bërë dy muaj që ata nuk i kanë marrë pagat e tyre.
Qeveria e Kosovës ka dalë me një reagim në ditën e 23-të të grevës së minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A.
Në një komunikatë për media, Qeveria thotë se janë duke e trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A, duke theksuar se përkrahja financiare për këtë ndërmarrje “varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”.
“Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”- thuhet në komunikatë.
Qeveria thotë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke shtuat se po sigurojnë që të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre.
Nga ekzekutivi thonë se nga ndërmarrja presin që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve,” si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”.
Të mërkurën, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, mbajti takim me grevistët dhe diskutuar për zhvillimet brenda ndërmarrjes duke bërë thirrje për ekzekutimin e pagave.
Bordi i kësaj ndërmarrje përmes një komunikate për media, të martën më 30.07.2024, thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.