Dita e 14-të e grevës së minatorëvë të "Trepçës", menaxhmenti ende pa përgjigje se kur dalin pagat

Minatorët e ndërmarrrjes publike “Trepça” kanë hyrë në ditën e 14-të të grevës për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore.

Kështu ka thënë për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, sot, më 24.07.2024.

“Që 14 ditë nuk kanë punu minatorët për shkak të mosrealizimti të pagave dhe shujtave ushqimore”- ka thënë Januzi.

Ai tutje ka thënë se nesër, më 25.07.2024, presin që të vijë bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” para minatorëve për të diskutuar në lidhje me pagat dhe shujtat mujore.

Ndërkaq kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se pagat nuk janë realizuar deri më tani për shkak të mungesës së fondeve.

“Arsyeja pse nuk është pagu është vetëm mungesa e fondeve”- ka thënë Kurti.

Kurti u ka bërë thirrje minatorëve grevistë që ta fillojnë punën, ndonëse nuk ka premtuar që pagat do të ekzekutohen së shpejti.

“Kërkesa jonë qëndron që ata me i kry punët e veta, me i lanë grevat anash, e dimë se kemi telashe, por kjo gjendje nuk është krijuar që një muaj apo që tre muaj, kjo gjendje në “Trepçë” është me vite, problemet e akumuluara tash kanë kërsitë”- është shprehur Kurti.

Në anën tjetër, sindikalisti Destan Kërleshi ka thënë se minatorët është mirë ta ndërpresin grevën, anipse sipas tij ata duan vetëm një datë nga menaxhmenti i “Trepçës” se kur do të ekzekutohen pagat e muajit qershor.

“Mendimi im është se është mirë me ia fillu punës se po hupin me prodhim, këtu ka faj edhe menaxhmenti, edhe kryeshefi dhe bordi se minatorët vetëm po e kërkojnë një datë se kur do të dalin pagat”- ka thënë Kërleshi.

Kërleshi ka shtuar se greva do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të tjera.

“Është në dorën e minatorëve, por sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë greva, vendimin e marrin vetë minatorët”- ka thënë Kërleshi.