Dita Botërore e Shëndetit në Prishtinë, Foto: KALLXO.com

Dita Botërore e Shëndetit, aktivitete në Prishtinë për vetëdijësimin e qytetarëve

Dita Botërore e Shëndetit u shënua edhe në Kosovë përmes disa aktiviteteve për rëndësinë e shëndetit dhe qëllimin për vetëdijësimin e qytetarëve.

Një i tillë u shënua sot në Prishtinë ku një ndër pikat ishte sheshi “Zahir Pajaziti”, në të cilin ishte vendosur një tendë ku qytetarët mund të kryenin disa prej kontrolleve mjekësore dhe të merrnin informata rreth  jetesë së shëndetshme.

Sejdi Gashi, pensionit tha për KALLXO.com se një ngjarje e tillë është e mirëseardhur për të pasi që konsideron se shumë njerëz shkojnë për kontrolle mjekësore vetëm kur ndihen të sëmurë.

“Unë besoj që sa më shpesh që bëhen (aktivitete të tilla) aq më mire është, pasi që njerëzit që kalojnë rastësisht mund të ndalen për të kryer kontrolla” u shpreh ai.

Ndër kontrollet ndaj të cilave qytetarët patën mundësinë tu nënshtrohen ishin matja e tensionit, matja e glikemisë, e matja e peshës.

Përpos kontrolleve mjekësore në këtë aktivitet nuk munguan as broshurat informuese.

Për të ndihmuar në trajtimin e qytetarëve pjesëmarrës ishin ekipe nga Qendra Klinike Univeristare e Kosovës, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, studentë nga kolegji “Universum”.

Pjesmarrës ishin edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përpos qytetarëve, ekipet u vizituan edhe nga kryetari Prishtinës, Përparim Rama, i cili u ndal për të bërë një vizitë dhe për tu pajisur me këshilla mjekësore.

Para mediave i pari i kryeqytetit, tha se synohet që udhëzimet ndaj qytetarëve të jenë të lidhura me parandalimin e sëmundjeve dhe ndërmarrjen e masave paraprake për shëndetin.

“Preventiva është aspekt edhe i gjithë strategjisë tonë të trajtimit të qytetit, të hapësirave publike, të ndërlidhjeve të qendrës me zonat përreth, që të mundësojmë një lëvizje më të lehtë, më të lirë që qytetarët e Prishtinës të kenë mundësi të ecin më shumë”, tha Rama.

Këtë e pohoi edhe drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.

“I kemi bashkuar forcat me qëllim që t’i informojmë qytetarët për rëndësinë që ka parandalimi i sëmundjeve që është një kriter shumë i rëndësishëm për shëndetin e njeriut”, tha ai.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.