Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, sulmet e pazbuluara ndaj ekipit të KALLXO.com

Data 3 maj shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, derisa në Kosovë u bë thirrje që prokuroria dhe gjykatat të trajtojnë me prioritet rastet e dhunës kundër mediave dhe gazetarëve.

Në të dhënat e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Organizatës Gazetarët pa Kufi (RSF) që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.

Ekipet e KALLXO.com janë sulmuar disa herë ndër vite dhe shumë prej këtyre rasteve kanë mbetur të pazbuluara.

Në Ditën e Lirisë së Shtypit gjeni rrëfimet për rastet e pazbuluara të sulmeve ndaj gazetarëve të KALLXO.com në vitet e fundit:

Behar Mustafa, gazetar dhe hulumtues në Kallxo.com, në vitin 2014 është sulmuar nga një grup i protestuesve të maskuar në Mitrovicë.

“Unë jam sulmu prej një grupi të protestuesve, kur ka ndodhur një protestë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë. Personat që më kanë sulmuar kanë qenë të maskuar. Policia dhe Prokuroria e kanë pasë një video ku shihet se qysh ka ndodhë sulmi”- është shprehur Mustafa.

Policia dhe Prokuroria nuk kanë arritur ta zbulojnë kryerësin derisa rasti është mbyllur.

Taulant Osmani, redaktor në KALLXO.com, më 11 nëntor 2017 është sulmuar në Gjilan teksa po filmonte një protestë.

“Jam sulmuar nga disa persona tek po filmoja një protestë në Gjilan. Ma kanë marrë telefonin edhe më kanë goditur nga mbrapa, para, shihet edhe në xhirimet që i ka pasur edhe Policia edhe Prokuroria”-është shprehur Osmani.

Policia dhe Prokuroria kanë arritur t`i identifikojnë sulmuesit, njëri nga ta ishte arrestuar.

Arjana Berisha, gazetare në KALLXO.com, më 19 gusht 2022 është kërcënuar pas publikimit të një materiali ku një shofer autobusi po bënte vozitje të rrezikshme.

“Jam kërcënuar seriozisht pasi kam publikuar një material ku një shofer autobusi kryente vozitje të rrezikshme. Kërcënimet kanë qenë mjaft serioze, deri me ‘qërim hesapesh personale’”-është shprehur ajo.

Deri më sot, përpos deklaratës së dhënë në Polici rasti ende nuk është zbuluar nga autoritetet.

Më 9 dhjetor 2022 makina në të cilën gjendej gazetarja Shkodrane Dakaj është sulmuar nga një grup qytetarësh në Mitrovicë të Veriut.

“Unë jam sulmuar në Mitrovicën e Veriut. Një grup qytetarësh e kanë sulmuar makinën me të cilën po udhëtonim”- është shprehur Dakaj.

Deri më sot Policia dhe Prokuroria nuk kanë arritur t`i identifikojnë sulmuesit.

Valdet Salihu, producent në KALLXO.com, ka qenë po ashtu në makinën e ekipit të KALLXO.com që u sulmua më 9 dhjetor 2022 në Mitrovicë të Veriut.

“Persona të maskuar na kanë sulmuar në momentin kur  kemi tentuar që t’i filmojmë”- u shpreh ai.

Deri më sot Policia dhe Prokuroria nuk kanë arritur t`i identifikojnë sulmuesit.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i Organizatës Gazetarët Pa Kufi (RSF), i bërë publik sot me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, për lirinë e medias thotë se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende.

Sipas këtij publikimi, në Kosovë pavarësia e medias kërcënohet nga rregullimi i dobët dhe varësia nga shpërndarja partiake e fondeve publike.

Ndërkaq, sa i përket fushës së sigurisë, raporti i organizatës Gazetarët pa Kufi thotë që përderisa asnjë gazetar nuk është vrarë që nga viti 2005, vrasjet dhe zhdukjet që kanë ndodhur para dhe gjatë luftës në Kosovë (1998-2005) kanë mbetur të pandëshkuara.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit u është drejtuar me një shkresë prokurorëve dhe gjyqtarëve, në të cilën ka shprehur shqetësim për trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve.

Kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se në pesë vjetët e fundit janë regjistruar 120 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, 33 prej tyre vitin e kaluar përderisa në këtë vit janë regjistruar 11 raste.

Çka thotë Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për Kosovën