Distria Krasniqi kualifikohet në finale të Mastersit të xhudos "Doha 2021"

Xhudistja Distria Krasniqi ka kaluar në finale të Mastersit të xhudos “Doha 2021” ndërsa Majlinda Kelmendi është kualifikuar në gjysmëfinale.

Krasniqi në finale do të përballet me japonezen Funa Tonaki, kategoria -48 kg.

Majlinda Kelmendi është rikthyer në gara pas një viti.

Ekipi Olimpik i xhudos e ka nisur vitin me Mastersin e Dohas së Katarit, që ka filluar nga sot dhe do të zgjasë deri më 13 janar.

Pesë garuesit  që ndodhen brenda normës Olimpike Tokyo 2020, Majlinda Kelmendi (-52 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg) do të synojnë ta nisin 2021-tën me medalje dhe njëkohësisht të shtojnë pikë të reja Olimpike, të cilat iu ndihmojnë edhe për renditje më të mirë para Olimpiadës së Tokios.

Në Mastersin e Dohas marrin pjesë vetëm garuesit e renditur në top 36-she në kategori, që tregon se shumica e xhudistëve do të jenë pjesëmarrës edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Akilin në tatamin e Dohas do ta shohim nesër përballë Somon Makhmadbekov të Taxhikistanit.

Loriana lufton të mërkurën ndërsa në raundin e parë takohet me Sarah Myriam Mazouz të Gabonit.