Foto: Komiteti Olimpik i Kosovës

Distria Krasniqi fiton medaljen e artë në Katar

Distria Krasniqi ka rrëmbyer medaljen e artë në Mastersin e xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.

Numri një në botë, Krasniqi mposhti në finale me ippon japonezen Funa Tonaki, kampione e botës në vitin 2017, kategoria deri në 48 kilogramë.

Ekipi Olimpik i xhudos e ka nisur vitin me Mastersin e Dohas së Katarit, që ka filluar nga sot dhe do të zgjasë deri më 13 janar.

Pesë garuesit  që ndodhen brenda normës Olimpike Tokyo 2020, Majlinda Kelmendi (-52 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg) do të synojnë ta nisin 2021-tën me medalje dhe njëkohësisht të shtojnë pikë të reja Olimpike, të cilat iu ndihmojnë edhe për renditje më të mirë para Olimpiadës së Tokios.

Në Mastersin e Dohas marrin pjesë vetëm garuesit e renditur në top 36-she në kategori, që tregon se shumica e xhudistëve do të jenë pjesëmarrës edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Akilin në tatamin e Dohas do ta shohim nesër përballë Somon Makhmadbekov të Taxhikistanit.

Loriana lufton të mërkurën ndërsa në raundin e parë takohet me Sarah Myriam Mazouz të Gabonit.