Distria Krasniqi dhe Dardan Berisha zgjidhen "sportistët e vitit 2020"

Komiteti Olimpik i Kosovës sot gjatë një ceremonie ka zgjedhur laureatët e vitit 2020.

Xhudistja Distria Krasniqi është zgjedhur “sportistja e vitit” ndërsa Dardan Berisha “sportisti i vitit”.

Driton Kuka është zgjedhur “trajneri i vitit” ndërkaq Latif Demollit, gjyqtari ndërkombëtar të boksit, i është dhënë “çmimi special”.

Me çmimin “shpresë olimpike” është shpërblyer Betim Maliqi në kategorinë e djemve në xhudo ndërsa në atë të vajzave, Laura Fazliu.

Pjesë e laureatëve 2020 janë edhe kombëtarja e vajzave në futboll dhe kombëtarja e djemve në basketboll.

Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës tha se asnjëherë nuk mund t i dalim hakut sakrificës së sportistëve.

“Përkundër se Kosova bënë shumë për sportistët, ne asnjëherë nuk i dalim hakut sportistëve dhe sakrificës së tyre. Sportistët dhe lojtarët stërviten 4-6 orë brenda ditës, kështu funksionon xhudo, Driton Kuka e ka thënë këtë. Do të bëjmë çmos për karrierën tuaj të dyshiftë dhe të ju mbajmë sa më afër sportit”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se Kosovën më shumë e kanë lartësuar sportistët sesa politikanët.

“Emrin e Kosovës më shumë e kanë lartësuar  sportistët sesa politikanët. Pjesa më e ndritshme është përiudha e pasluftës ku sportistët tanë e përfaqësuan Kosovën dhe na kanë nderuar edhe në ato vende ku nuk e kanë njohur Kosovën si vend të pavarur. Pandemia e vitit 2020 na ka sfiduar të gjithëve por edhe në këto kushte sporti ka treguar rezultatet duke sjellë diku 20 medalie”, tha Hoti.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila falenderoi sportistët.