Ilustrim

Distria fitoi të bronztën në Paris

Xhudistja Distria Krasniqi e ka rrëmbyer medaljen e bronztë në Grand Slamin e Parisit.

Sipas njoftimit të Federatës së Xhudos në Kosovë të datës 01.02.2025, Krasniqi në fitoren e saj ka treguar forcë dhe teknikë të jashtëzakonshme.

Federata njofton se Distria në xhiron e parë ishte e lirë, në xhiron e dytë ajo mposhti me tri dënime për Ippon, xhudisten franceze Alyssia Poulange.

“Krasniqi në çerekfinale me dy Wazaari mposhti, spanjollen Ayumi Leiva Sanchez. Kurse në gjysëmfinale humbi me Ippon, kundër japonezes Kisumi Omori. Në ndeshjen vendimtare për medaljen e bronztë, ajo fitoi ndaj Khorloodoi Bishrelt nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke siguruar edhe një sukses tjetër të madh për xhudon kosovare” – njofton Federata e Xhudos në Facebook më 01.02.2025.

Krasniqi ka fituar katër medalje në Grand Slamin e Parisit ndër vite dhe një medalje Olimpike në vitin 2024 në Paris.

Përveç Krasniqit, në Grand Slam të Parisit është duke luftuar për të artën xhudisti nga Kosova, Akil Gjakova.

Akili përballet në finale me xhudistin nga Uzbekistani, Shakhram Ahadov.

Një tjetër xhudiste nga Spanja, Cristina Cabana Perez u mposht nga një xhudiste e Kosovës – Nora Gjakova. Gjakova tashmë do të luftojë për medaljen e bronztë, por në kategorinë e re për të, atë -63 kg. 

KOK kishte njoftuar më 31.01.2025 se pas gjashtë muajsh, ekipi olimpik i xhudos rikthehet në gara dhe pikërisht në qytetin e Parisit, ku së fundi, në Lojërat Olimpike u stolisën me dy medalje.

Përveç Akil e Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, në Paris kanë shkuar të garojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë -52 kg dhe Dardan Cena.