Diskutimi publik për listën e barnave esenciale, ankesa për ndikim të kompanive farmaceutike

Drafti aktual i listës së re të barnave esenciale u diskutua sot në një tryezë për diskutim publik, ku morën pjesë Ministria e Shëndetësisë, Kryetari i komitetit kyç për revidimin e listës, Driton Vela, Oda e Farmacistëve, Shoqata e Farmacistëve, Shoqata e Distributorëve Farmaceutik, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve e shoqëri civile.

Buxheti për barnat esenciale këtë vit është 60 milionë euro, 25 milionë më shumë se vitin e kaluar.

Vela prezantoi punën e komisionit të filluar nga 14 tetori i vitit të kaluar. Ai tha se nga atëherë janë mbajtur rreth 50 takime të komiteteve, e rreth 20 të komitetit kyç. Pothuajse në secilin takim, ai tha se kanë marrë pjesë edhe organizata joqeveritare vendore.

“Kemi arritur ta zgjerojmë listën në lëmi të ndryshme, kemi identifikuar qartë indikacionet që kanë munguar më parë. Kemi vendosur standardin e ri për transparencën e listës së barnave esenciale” – u shpreh Vela.

Ndër caqet kryesore, Vela përmendi të jetë zgjerimi i listës aktuale dhe definimi i indikacioneve edhe për ato barna që nuk i kanë pasur.

Sipas tij, 120 propozime të reja janë pranuar, prej të cilave 68 janë aprovuar. Propozimi i ri nuk nënkupton domosdoshmërisht bar i ri. Për disa barna, ai tha se Kosova është e para në rajon për disa indikacione të aprovuara.

“Barnat e reja përfshijnë të gjitha barnat e koncept dokumentit për sëmundjet e rralla, i cili është miratuar në dhjetor të vitit 2022” – shtoi ai.

Tutje, kryetari i komitetit tregoi se raporti përfundimtar do të përfshijë të gjithë procesin e vendimmarrjes për secilin bar, edhe për propozimet e papranuara. Për këtë tha se janë bazuar në modelin e OBSh-së.

Ministri Arben Vitia, tha se është shumë me rëndësi që kjo punë e bërë të përcillet edhe me përdorim racional të barnave. Ai u zotua se të gjitha propozimet e komentet e pjesëmarrësve do të dëgjohen e shqyrtohen me vëmendje.

Të pranishmit ofruan rekomandimet, ankesat dhe kritikat e tyre lidhur me draftin aktual të listës.

Njëra prej kritikave të Milaim Abdullahut nga Shoqata e Distributorëve Farmaceutik ishte krijimi i monopolit për një kompani me caktimin e një doze të një bari në listë, e cila sipas tij nuk është e nevojshme.

Vela tha se nuk kanë asgjë kundër rritjes së dozës për heqjen e monopolit në këtë rast. Ai tha se profesionistët nuk e dinë se cila kompani, çfarë doze e shet, prandaj propozimi nuk bëhet në atë mënyrë.

Kritikë të njëjtë pati edhe Skender Kutllovci, drejtor i kompanisë farmaceutike Medical Group. Ai tha se kompanitë farmaceutike kanë lobuar te profesionistët, pjesë të komiteteve.

Kutllovci nuk përmendi emra, por tha se ata që janë të pranishëm e dinë se kush, kënd e ka influencuar.

“Për mua nuk është listë e mirë dhe ka shumë probleme sepse e shoh influencën e kompanive farmaceutike në mënyrë drastike” – tha ai.

Prandaj, ai shtroi pyetjen se çfarë mekanizma mbrojtës është përdorur që influenca e kompanive farmaceutike të largohet ose të minimizohet.

“Nuk mund të jemi listë dëshirash e njerëzve e kompanive. Nëse kjo listë aprovohet si e tillë, unë do ta ndiej veten të poshtëruar që jam në këtë industri” – përfundoi ai.

Vela iu përgjigj duke treguar se sekretaria teknike ka përgatitur deklaratat e konflikt interesit të cilat iu kanë dërguar anëtarëve te komitetit, me ç’rast disa tha se janë larguar me fillim.

“Unë e marr ofendim dhe akuzë shume të rëndë që nuk ofroni dëshmi për lobim të kompanive. Unë prita që do të jepni komente konkrete. Te unë nuk ka gjasa me lobu asnjë kompani” – shtoi ai.

Ndërkaq, Vitia tha se kjo tryezë nuk është sa për sy e faqe dhe secila vërejtje do të adresohet. Ministri tregoi se që në fillim ka kërkuar që të ketë sa më pak influencë.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve pyeti se meqë janë bazuar në standardet e OBSh-së a janë ndarë paketa e garantuar dhe paketa bazë e barnave. Mirëpo, për këtë askush nuk pati një përgjigje.

Edhe përfaqësues të tjerë të kompanive të ndryshme farmaceutike patën ankesa të ndryshme për disa bare, për të cilat u diskutua mes tyre, ministrisë e kryetarit të komitetit. Ndër të tjera, Vela tha se nuk kanë obligim ndaj asnjë kompanie për ta futur ndonjë bar në listë.

Edhe kreu i shëndetësisë në vend, Vitia pati një koment lidhur me këto ankesa.

Ai tha se thuajse secili prej të pranishmëve i ka shkruar duke i thënë se i është bërë e padrejtë.

“Kjo më jep shpresë me mëndu që nuk ka pasur shumë të fokusun, që veç njërit iu paska bërë e padrejtë, sipas këndvështrimit të tyre” – u shpreh ministri.

E ndonëse tha se ka pranuar mjaft mesazhe e emaile lidhur me këtë, Vitia tregoi se nuk i ka kthyer përgjigje asnjërit, por ka dashur që të diskutohen në këtë tryezë, në mënyrë transparente.

Kritika pati edhe për disa gabime teknike, për të cilat u tha se do të rregullohen.

Për punën e bërë Vela falënderoi komitetin kyç dhe nënkomitetet, MSh-në, veçanërisht ministrin që tha se i ka krijuar kushtet e nevojshme për punë intensive, SHSKUK-në, qeverinë e Luksemburgut që ka financuar punëtoritë, Qendrën për zhvillimin e mjekësisë familjare, ku tha se i kanë mbajtur shumicën e takimeve.

Komentet, propozimet e kritikat e dhëna sot, të pranishmit do të duhet t’i dërgojnë edhe me shkrim në adresat e ministrisë, në mënyrë më të detajuar, ashtu që ata t’i shqyrtojnë më lehtë. Sekretari i MSh-së, Naim Bardiqi, i cili edhe e moderoi këtë tryezë, tha se kanë afat deri më 3 prill në orën 16 për t’i dërguar ato.