Diskutimi për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetareve shënon fushatën "16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore"

Sot është mbajtur diskutimi online mbi mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, me fokus te gratë gazetare në Kosovë dhe më gjerë.

Ky diskutim ka shënuar fushatën ndërkombëtare “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, duke rritur kështu ndërgjegjësimin për rolin e rëndësishëm të mediave për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Zëvendësshefi i Zyrë së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri theksoi se Kosova bën pjesë te vendet që kanë një debat të gjallë të mediave dhe për këtë është e bekuar për shkak se kjo nuk ndodh në shumë vende.

Serri tha Kosova e ka legjislacionin e harmonizuar me bazën ligjore të BE-së por nuk ka zbatueshmëri të mirë të saj në praktikë.

Ai përmendi edhe problemin e kontratave afatshkurta te gazetarët e sidomos te gazetaret gra.

“Shumë njerëz punojnë në këtë sektor dhe nuk kanë kontrata afatgjata kjo mund të ndikojë të vet-censurimi. Edhe gjatë COVID-19 shumë gra gazetare janë larguar nga puna për shkak të pushimit të lehonisë për shkak se nuk kanë pasur kontrata”, theksoi Serri.

E pranishme në këtë diskutim ishte edhe Majlinda Lulaj nga Institucioni i Avokatit të Popullit. Ajo theksoi se siguria e gazetarëve është një prej parakushteve që duhet të përmbushet për të gëzuar lirinë e medias.

“Duke pasur parasysh mendësinë, fakti i të qenit grua edhe gazetare e bën edhe më të vështirë që një profesioniste e medias të punojë. Mungesa e kontratave të punës e bën edhe më të vështirë punën e tyre. Mungesa e kontratave ofron mundësi edhe për shantazh dhe çon në auto-censurë. Ndëshkimet nga drejtësia do të parandalonin rastet e tjera në të ardhmen”, potencoi Lulaj.

Ndërsa Jenny Stenberg Sorvold, zëvendës-ambasadore në Ambasadën norvegjeze në Kosovë shumica e gazetareve gra duhet të heqin dorë nga puna për shkak të kërcënimeve, sulmeve e shantazheve. Sipas saj, kryesit e veprës shumë rrallë dalin para drejtësisë.

Sorvold potencoi se gazetaria e pavarur është me rëndësi të madhe për demokracinë. Ajo pati edhe një porosi për gazetarët.

“Porosia jonë për gazetarët është vazhdoni punën tuaj dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për sigurinë tuaj”, tha ajo.

Gazetaria u konsiderua si profesion i rrezikshëm nga gazetarja Lambrini Papadopoulou. Ajo dha edhe arsyet se pse shënjestrohen gazetaret gra.

“Gazetaret gra shënjestrohen për raportimin e tyre, trupin, orientimin seksual, fenë, jetën private, përgatitjen profesionale, shumë sexy, të turpshme, të trasha, kritikohen që janë gazetare edhe që janë gra”, tha gazetarja Papadopoulou.

“Gjinia i bën gazetaret të cenueshme ndaj formave të dhunës dhe diskriminimit”, shtoi ajo.

Sipas studimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, në vitin 2017, në mesin 1400 grave gazetare nga 15 vende, pothuajse një në 2 gra kishte përjetuar një formë të dhunës gjatë karrierës tyre profesionale. Format më të zakonshme të dhunës sipas këtij studimi ishin abuzimi verbal, psikologjik, abuzimi ekonomik dhe në 11% të rasteve dhuna fizike.

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, përmendi faktin që pabarazia gjinore në Ballkanin perëndimor përkthehet edhe te gratë në media.

“Sipas monitorimit të KPM-së të lajmeve qendrore në periudhën prill-maj 2019, gratë janë më prezente si moderatore se sa si redaktore. Ndonëse kemi 4 gra si pronare, pozitat menaxheriale brenda redaksive mbeten ekskluzive për burrat”, potencoi Kusari.

Ajo numëroi edhe disa nga rastet e kërcënimit dhe presionit mbi gazetaret gra. Një ndër to ishte edhe padia e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj Jeta Xharrës, drejtoreshës së Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe autores së emisionit “Jeta në Kosovë”. Kjo padi është bërë për raportimin për kontratat e lobimit Ministrisë së Integrimit Europian, të udhëhequr atëherë nga Dhurata Hoxha, për idenë e ndarjes së Kosovës.

Si institucion përkrahës për gazetarët ajo e konsideron Institucionin e Avokatit të Popullit sidomos në ndihmën për arritjen e qasjes në dokumente publike nëpër institucionet të cilat ia mohojnë këtë të drejtë gazetarëve.

Sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në vitin 2019 kanë qenë 21 raste të kërcënimit dhe sulmit ndaj gazetarëve, në 4 raste, shënjestër kanë qenë gazetaret gra. Ndërsa në vitin 2020 kanë qenë 23 raste të kërcënimit edhe këtë vit në 4 raste janë sulmuar gratë gazetare.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli – Pustina përmendi rastin fushatës publike linçuese ndaj Jeta Xharrës, drejtoreshës së BIRN. Një ish zyrtar i PDK-së, Gani Koci, në profilin e tij në Facebook e kishte quajtur Xharrën “mercenare të Lëvizjes Vetëvendosje” dhe “gropë septike e cila duhet të mbyllet me beton”.

“Nuk kam marrë informacione nëse është ndërmarrë diçka në lidhje me këtë rast”, ka thënë Begolli – Pustina.

Kryetarja e AGK-së përmendi faktin që në Kosovës 90% e çmimeve për gazetari janë fituar nga gratë gazetare për punën që kanë bërë në çështje sociale, të ekonomisë, korrupsionit dhe politikës.

“Përkundër sfidave ato janë prijëse në këtë profesion”, përfundoi Begolli – Pustina.

Koordinatori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, Besim Kelmendi ka thënë se që nga momenti i caktimit të koordinatorëve brenda prokurorive në të gjithë Kosovën rastet ndaj gazetarëve trajtohen me prioritet.

“Pse me prioritet, jo pse janë gazetarë, veprat që kryhen ndaj gazetarëve janë kundër trupit edhe jetës dhe duhet të trajtohen me seriozitet. Një kërcënim sot mund të jetë një vrasje nesër. Për mua edhe vetëm një rast me ndodh një vite është shumë. Ka pasur lëvizje pozitive”, ka shtuar Kelmendi.

Kelmendi ka thënë se nga 21 raste janë ngritur 15 aktakuza, dukuri e cila nuk ka ndodhur më herët.

“Më herët lëndët janë vendosur në dollape deri janë përshkruar rastet. Gazetarët e kanë një derë sot. Nëse ata që kryejnë krime e shohin gatishmërinë e institucioneve që do të merren ato raste, në këto raste ne bashkërisht mund të çojmë mesazhin më të mirë që gazetarët të raportojnë rastet”, ka përfunduar prokurori Kelmendi.

Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, në kuadër të veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës mbi “Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Medias (JUFREX2)” dhe aksionin “Përforcimi i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – Faza II ”, e ka organizuar këtë diskutim tryezë me qëllim të adresimit të çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, me theks të veçantë për gratë gazetare dhe rreziqet e dhunës ndaj grave.