Flamujt e vendeve anëtare të BE-së, Foto: Presidenca çeke e BE

Diskutimi i radhës për vizat, deklarohet Presidenca çeke e BE-së

Grupi Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian është deklaruar pas diskutimit të dytë të mbajtur sot për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidenca çeke e BE-së ka bërë të ditur se për çështjen e vizave për Kosovën nuk është arritur konsensus, ndërsa tutje thuhet se shtetet anëtare bënë progres të rëndësishëm në negociata.

“Shtetet Anëtare diskutuan kompromisin e Presidencës propozim për kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e ETIAS sistemi. Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus; megjithatë, shtetet anëtare bënë progres të rëndësishëm në negociata”- thuhet në komunikatën e dërguar për KALLXO.com.

Sipas komunikatës, Presidenca do t’i rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet të finalizohet puna për këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur.

Më 10 tetor 2022, për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Në atë takim, vendet anëtare kanë qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por Franca “e ka kushtëzuar” procesin duke kërkuar që liberalizimi i vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Ky propozim sipas raportimit, është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.

Çfarë po ndodh me vizat për Kosovën?