Diskutimet për president, flet Lutfi Haziri i LDK-së

Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli e së fundmi edhe Fatmir Limaj janë propozuar nga partitë e tyre për pozitën e presidentit.

E derisa të vijë koha për zgjedhjen e presidentit të ri, pas rreth gjashtë muajve, kur edhe përfundon mandati i presidentit aktual Hashim Thaçi, të tjerë emra të rinj mund të përmenden për zëvendësimin e tij.

Së fundmi, diskutimit për shef shteti i është shtuar edhe një koment i nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai ka deklaruar në Facebook se emri i presidentit të Kosovës kalon nga zyrat e partisë së tij.

“Zgjedhja e Presidentit kalon nëpër zyrat e LDK’së. Ashtu siç kaloi edhe zgjedhja e Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit…Kur bëhet kështu, dihet kush bëhet President. Ai që përfaqëson unitetin e popullit. Vazhdojmë…”, ka shkruar Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

Edhe bashkëpartiaku i Hazirit, ministri Arban Abrashi, ka thënë ditë më parë se posti i presidentit i takon LDK-së.

Ndërkohë, një takim në mes liderëve të koalicionit qeverisës që u mbajtë sot, Limaj tha se nuk u diskutua për çështjen e presindentit, madje, ai tha se të diskutohet tani për këtë temë është e turpshme.

Limaj: Është e turpshme të diskutohet për temën e presidentit