Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Diskutimet mbi ndryshimet në rregulloren për marketing në RTK

Komisioni për amendamentin e rregullores për marketing të Radiotelevizionit të Kosovës ka prezentuar ndryshimet e bëra në këtë rregullore para bordit, në mbledhjen e mbajtur të enjten.

Kryetarja e këtij komisioni, Ariana Pallata, tha se pothuajse në të gjitha nenet ka pasur ndryshime por në disa nene të caktuara edhe ndryshime përmbajtjesore.

Pika një e nenit 17 të kësaj rregullore të ndryshuar ishte temë me e ‘nxehtë’ diskutimi në mes Komisionit dhe bordit.

“Në rastet kur agjencitë e marketingut sjellin një klient të ri, u takon zbritje shtesë prej 25% të çmimit në vlerën e çmimit të sekondës, vetëm për atë klient” – thuhet në pikën 1 të nenit 17.

Kjo pikë u kundërshtua nga disa anëtarë të bordit.

Driton Hetemi, anëtar i bordit të RTK-së, tha se kjo pikë e këtij neni lë mundësi për keqpërdorime.

“Për këtë pikë kam dilema, kjo pasi që lë hapësirë për keqpërdorime dhe vjedhje, nuk mundemi me e lënë kështu” – tha ai.

Fatime Lumi Qehaja, anëtare e bordit të RTK-së, tha se në rregullore nuk duhet të ceket që zbritja shtesë prej 25% do t’i shkojë agjencionit apo klientit ndërsa shtoi pyetje edhe për pikën 3.7 të këtij neni e cila thotë se “Agjencitë fitojnë zbritjen mbi vlerën 3 mijë euro”.

Lumi Qehaja theksoi se në rregullore është anashkaluar pjesa e reklamimit në rrjete sociale.

Safet Kabashaj, anëtar i bordit të RTK-së shtroi pyetje se cila është mënyra më e shpeshtë e krijimit të një marrëveshje për marketing përmes agjencionit apo drejtpërdrejtë në mes RTK-së dhe kompanisë.

Ariana Pallata, kryetare e Komisionit për amendamentin e rregullores për marketing të RTK-së tha se në terren janë gjërat më ndryshe dhe se ndryshimet e bëra në këtë rregullore nga ta do t’ua lehtësonin punën.

Pikat e tjera të cilat janë propozuar nga Komisioni janë, pika 3 e nenit 22 e cila thotë se për promovuesit e librit, filharmonisë dhe aktivitetet e ndryshme teatrale të ketë, “zbritje shtesë prej 70% në blloqet e rregullta të çmimores së marketingut të RTK-së, RTK-Radio si dhe platformat tjera online në RTK- por jo edhe në teleshoping, blloqe speciale apo ofertat speciale”.

Pikë tjetër e diskutimit ishte edhe neni 20, reklamimi me pagesë.

“RTK u lejon 50% zbritje të veçantë bizneseve, produksioneve, bashkëpunimeve afariste, programore, apo të tjera të cilat lidhin kontratë me kompensim me hapësirë reklamuese kur bëhet fjalë për përmbushjen e një misioni të caktuar të RTK-së” – thuhet në pikën një të këtij neni.

Në fund u vendos që Komisioni të punojë në rregullore duke përfshirë rekomandimet dhe opinionet e bordit.

Gjatë kësaj mbledhje të bordit ka raportuar edhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj për raportin e rregullt mujor.

 KËTU mund të gjeni rregulloren aktuale për marketing të RTK-së.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN monitoron në vazhdimësi mbledhjet e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.