Diskursi politik, problem i Kuvendit, sipas drejtorit të NDI për Europën Qendrore e Lindore

Parlamenti i Kosovës po përballet më probleme të konsiderueshme, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë dhe me diskursin politik, sipas Drejtorit Rajonal për Programet e Europës Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Kombëtar të SHBA-së (NDI), Robert Benjamin.

Megjithatë, ai vlerëson se makineria e Kuvendit mbi të cilën bazohet i gjithë procesi legjislativ është duke u rritur dhe po forcohet.

“Problemet kanë të bëjnë me, le të themi, zgjuarsinë e miratimit të legjislacionit dhe adresimit të çështjeve që ka publiku për të cilat kemi folur tashmë. Mendoj gjithashtu se Parlamenti ka bërë hapa të jashtëzakonshëm institucionalë në mbledhjen e rregullores së punës, hulumtimin dhe analizën legjislative, dëgjimet e komisioneve” – tha Benjamin në një intervistë për Kallxo Përnime.

Por, përveç makinerisë, ai thotë se duhet të zhvillohet edhe një kulturë e diskursit demokratik, një kulturë e përfaqësimit dhe një kulturë e mbikëqyrjes së punëve.

Ai tha se parlamentet në rajon e madje edhe në Shtetet e Bashkuara nuk shihen mirë nga opinioni publik. Megjithatë, Kuvendin e Kosovës e vlerësoi më së shumti në rajon.

“Ka shumë për të thënë në favor të Kuvendit në krahasim me rajonin, si në aspektin e zhvillimit të tij institucional dhe shkallës në të cilën ai është i hapur si për pjesëmarrjen e publikut ashtu edhe për kritikat publike” – tha ai.

Ai u pyet edhe lidhur me temat që kanë krijuar debatet më të mëdha në Kuvend e që kanë të bëjnë me Kodin Civil, konkretisht martesat mes gjinisë së njëjtë dhe Projektligjin për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Benjamin tha se dualitete të tilla ka edhe në Kongresin Amerikan, por ata njerëz duhet të kthehen në komitet dhe të punojnë së bashku për të bashkësponzorizuar legjislacionin.

“Kjo është ajo që dua të them me dualitet. Në fund të fundit, nuk po them që të gjithë duhet të bien dakord për gjithçka. Ndonjëherë ato çështje janë tema të vështira dhe komplekse që shkaktohen nga ndryshimi i shpejtë shoqëror ose përparimi teknologjik. Ata flasin për vlerat dhe moralin e njerëzve, dhe njerëzit me të vërtetë kanë interes dhe duhet të kenë interes për to” – tha ai.

Por, sipas tij e rëndësishme është që Kuvendi të jetë vend i debatit konstruktiv dhe vendimmarrjes.

Drejtori i NDI për Europën Qendrore dhe Lindore thotë se në Kosovë ka një shkallë të jashtëzakonshme të fokusimit në barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Benjamin tha se rreth 60 për qind e grave në zgjedhjet e fundit parlamentare janë zgjedhur vetë e jo për shkak të kuotës, siç ka ndodhur më parë.

Sa i përket financimit të grave në politikë, ai tha se njeh mjaft udhëheqës të partive politike që përkushtohen për t’i ofruar mundësi të barabarta grave në partitë e tyre.

NDI është një organizatë jofitimprurëse, jopartiake, joqeveritare që punon në mbarë botën për të forcuar dhe mbrojtur institucionet, proceset, normat dhe vlerat demokratike. Një nga mbështetësit e saj është edhe Departamenti i Shtetit të ShBA-ve.

Puna e saj në Kosovë filloi menjëherë pas çlirimit në vitin 1999.