Diskriminimi në Telekom: Me grada e pozita të njëjta, marrin paga të ndryshme

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se për 84 pozita në Telekomin e Kosovës, punonjësit nuk paguhen njëjtë edhe pse kanë grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

Sipas përgjigjes së Telekomit të Kosovës, arsyet për rastet e identifikuara janë dallimet e punëve në mes të departamente të ndryshme si dhe për shkak të fitimeve të rasteve gjyqësore ose në komision të ankesave.

“Mirëpo sipas vlerësimeve tona, kjo ka ndodhur për shkak se kompania nuk kishte ende rregullore për sistematizim të vendeve të punës”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2020 të Telekomit të Kosovës.

Në Ligjin e Punës specifikohet se punëdhënësi duhet t’i paguajë punonjësit kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë, kompensim i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat tjera.

Sipas Auditori, pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme mund të ndikojë në ngritjen e padive eventuale ndaj Telekomit të Kosovës për mostrajtim të barabartë dhe humbje financiare të saj.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë, që përmes akteve të brendshme të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë që punonjësit në pozitat e njëjta të paguhen me grada të ndryshme”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Edhe në raportin e auditimit për vitin 2018 të Telekomit të Kosovës ishte konstatuar se në 61 pozita, punëtorët nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.