Diskriminimi në Ministrinë e Mjedisit, pozita të njëjta e paga të ndryshme

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Agjencinë Kadastrale që është në kuadër të Ministrisë së Mjedisit kishte diskriminime në pagesa për punëtorët.

Në raportin e auditimit për vitin 2018, Auditori thotë se në MMPH nuk janë paguar paga të njëjta për punëtorët që mbajnë pozitat e njëjta.

“Gjatë krahasimit të dhënave për të punësuarit në MMPH dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) për muajin dhjetor, kemi identifikuar se në nëntë raste ishin aplikuar kompensime me koeficientë të ndryshëm për pozita të njëjta. Kjo kishte ndodhur pjesërisht si rezultat i punësimit të mëhershëm të zyrtarëve me kualifikime të ndryshme, në pozitat e njëjta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Pika 2 e nenit 3 e Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil thotë se Institucionet e Administratës Publike të Republikës së Kosovës janë të detyruara të paguajnë pagë të njëjtë me vlerë të njëjtë për punë të njëjtë.

Mos harmonizimi i koeficienteve dhe pagesave të zyrtarëve për pozitat e njëjta, Auditori vlerëson se ndikon në cilësinë e punëve të kryera nga zyrtarët përkatës dhe dëmtim të buxhetit.

Kreut të Ministrisë iu rekomandua që të sigurohet që pagesat e njëjta të  bëhen për punën e njëjtë.

“Ministri duhet të siguroj që pagesa e zyrtarëve bëhet sipas përshkrimit të detyrave të punës, duke shmangur mundësinë e pagesave të ndryshme për pozitat e njëjta”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.