Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Diskriminim në Polici: Bukë vetëm për Njësitë Speciale

Në Policinë e Kosovës tash e disa vite, Njësitet Speciale të cilat funksionojnë kanë kontratë që të ushqehen me shujta ditore.

Kjo kontratë nuk përfshin të gjithë policët por vetëm ata të njësive speciale.

Policia e Kosovës ka marrë një vendim që për shkak të një varg masash të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës policët e të gjitha njesiteve të punojnë 12 orë.

Në vendimet e qeverisë bën pjesë edhe mbyllja e lokaleve apo restauraneve ku shërbehet ushqim e pije duke bërë kështu më të vështirë që policët përveç atyre të Njësive Speciale të mund të ushqehen mirë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, arsyetimi i të cilit ishte se njësive speciale u servohet ushqim pasi që ka kontratë për këtë punë.

“Po Njësistet Speciale kanë marrë ushqime sepse kanë qenë të kontraktuara ndërsa të tjerët jo nuk kanë marrë dhe nuk marrin për momentin. Kontrata është vetëm për njësitë e specializuara nuk ka tjetër, e kemi bisedu por është problem tani me shpërnda ushqimin, Njësitë Speciale e kanë ma lehtë sepse janë në kampin Vrella ndërsa këta që janë në patrulla është problem me ua dërgu ushqimin”, tha Tasholli për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se një çështje e tillë është diskutuar edhe me Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj edhe me MPB-në.

Unë kam biseduar së pari me ministrin dhe kam kërkuar që të bëhet një pagesë dhe ajo është arritur, një 300 euro do të bëhet dhe tani për ushqim do të biesdojmë prapë që të shikojmë a do të kemi mundësi ta mbuljmë apo jo, edhe drejtori edhe ministri edhe unë jemi për me qenë por nuk mundem me thanë që do të bëhet sepse po frikësohemi edhe për dezinfektimin e ushqimeve, po ngarkohet po shkarkohet, njësitet e specialuara kanë pasur kontrata. Ne do të bisedojmë se pse nuk ka edhe për të tjerët por smund të jap detaje tani për tani”, tha Tasholli për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zyrën për Informim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket ushqimit për zyrtarët policor. Ashtu sikurse edhe në të kaluarën njësitet speciale operative furnizohen në bazë të kontratës ekzistuese”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.