Disa vendbanime do të mbesin pa rrymë të dielën, shkaku i punimeve të KOSTT-it

KOSTT, ka njoftuar opinionin që me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë për ndërtimin e linjës së re të tensionit të lartë 110kV që lidhë NS 220/110kV Kosova A me NS 110/35/10kV Lipjan, me datë 2 Maj 2021 (e Dielë), nga ora 09:00 deri në 13:00 do të bëhet shkyçja e linjës 10kV Preoc (Uglar).

“Gjatë punimeve të planifikuara do të realizohet shtrirja e OPGW (Optical Ground Wire/Fibrat Optike) në pjesën ajrore të linjës që do të lidhë NS Fushë Kosova. Gjatë intervalit të lartcekur kohor, qytetarët/institucionet të cilat furnizohen nga kjo linjë, do të mbesin pa furnizim me energji elektrike (Redukimi i parashikuar 2.5MW)”, thuhet në njoftim.

Sipas KOSTT implementimi i projektit në fjalë do të ndikojë në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmetimit.

Ky projekt i KOSTT bashkë financohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).