Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Disa të arrestuar për dhunë në familje

Disa persona janë arrestuar nga policia për ushtrim të dhunës në familje, kryesisht raste të dhunës ndaj grave.

Një grua nga Fushë Kosova është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje kishte kanosur bashkëshortin e saj. Sipas policisë, palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Në fshatin Llapllasellë të Graçanicës po ashtu është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë në familje.

Lidhur me këtë rast, sipas policisë, viktima ka marr trajtim mjekësor, derisa i dyshuari është intervistuar dhe vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti ka ndodhur më 25 shtator rreth orës 18:15.

Në Obiliq po ashtu është arrestuar një burrë i cili pas një mosmarrëveshje ka sulmuar bashkëshorten e tij.

Në raportin e policisë bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Derisa, në kryeqytet, një grua ka raportuar se djali i saj si shkak i disa borgjeve të veta ka demoluar shtëpinë dhe thyer disa gjera shtëpiake. Policia bën të ditur se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Arrestim tjetër për dhunë në familje pati edhe në Viti, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Në raportin policor potencohet se gjatë kontrollit të shtëpisë, është gjetur dhe sekuestruar një revole me pesë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rast i dhunës në familje u raportua edhe në Prizren.

Një burrë u arrestua nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar motrën e tij duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me ç‘rast viktima ka marr trajtim mjekësor. Derisa, me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur më 26 shtator rreth 00:30 të mëngjesit.

Në Malishevë po ashtu një burrë u arrestua në dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas policisë, i dyshuari pasi ka probleme psikike për shkak të gjendjes shëndetësore është dërguar për tretman mjekësor në repartin e Psikiatrisë ku edhe vazhdon të trajtohet, kurse viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpi.

Një burrë në Vushtrri po ashtu u arrestua nën dyshimin se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij,

Sipas policisë, pas intervistimit, viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.