Disa raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të Kosovës.

Sipas policisë më 23 korrik në Podujevë është arrestuar një person i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht një person.

“Lidhur me rastin viktimës i është ofruar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.

Edhe në Fushë Kosovë në datën e njëjtë është arrestuar një person i cili dyshohet se ka shkaktuar dhunë në familje duke i sulmuar disa persona. Me vendim të prokurorit dhe pas intervistimit i dyshuari sipas policisë është dërguar në mbajtje.

Kurse, në Istog më 24 korrik janë arrestuar dy persona nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje janë kanosur dhe sulmuar mes vete.

“Me vendim të prokurorit pas intervistimit dy të  dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Edhe në Gjakovë më 24 korrik janë arrestuar dy të dyshuar pasi që të njëjtit kanë sulmuar njëri-tjetrin. “Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime”, përfundon njoftimi.