Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Disa punëtorë të Postës morën vetëm gjysmën e rrogës

Disa punëtorëve të Postës së Kosovës sot u ka dalë vetëm 50% e pagës.

Disa prej tyre kanë raportuar në KALLXO.com se nuk i dinë arsyet pse nuk u ka dalë paga e plotë.

Punëtorët të cilët i kanë marrë vetëm 50% të pagës janë të gradës së 6-të, që kryesisht janë koordinatorët, menaxherët dhe drejtorët e departamenteve në Postë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu..

“Janë ekzekutuar në dy pjesë pagat për një kategori të punëtorëve. Nuk është se nuk kanë me i marrë pagat e tjera, por janë njoftuar përmes e-mailit zyrtar dhe brenda muajit do ta marrin pjesë tjetër”, tha Fakete Kadiu pë KALLXO.com.

Ajo tha se janë ekzekutuar 50% e pagave për shkak të gjendjes financiare të ndërmarrjes.

“Kjo ka ndodhur sepse Posta është në gjendje të rëndë financiare dhe janë përcjellë këto informata dhe janë pajtuar për këtë çështje edhe drejtorët edhe menaxherët, për mos me lënë një kategori më gjatë pa paga”, shtoi u.d. e kryeshefes së Postës.

Fakete Kadiu shtoi se punëtorët e terrenit dhe të sportelit i kanë marrë pagat e tyre më 3 dhjetor dhe kanë marrë rrogë të plotë.

KALLXO.com ditë më parë raportoi se disa punëtorë të Postës së Kosovës janë ankuar për vonesa të pagave të tyre.

Vazhdon problemi me vonesat e pagave për punëtorët e Postës së Kosovës