Disa minatorë të Trepçës hynë në grevë, kërkojnë kthimin e kolegëve të suspenduar

Një pjesë e punëtorëve të ndërmarrjes Trepça, gjatë ditës së sotme kanë hyrë grevë, me kërkesën që të kthehen në punë punëtorët e larguar përkohësisht nga puna, në tetor të vitit të kaluar, të cilët në bazë të një vendimi dyshohet se kanë bërë shkelje të rëndë të detyrave.

Enis Abdurrahmani kryeshef ekzekutiv në Trepçë, e ka konfirmuar për KALLXO.com, se sipas tij një grup i vogël prej 7 ose 8 personave kanë hyrë në grevë.

“7 ose 8 veta janë dal atje dhe po protestojnë kanë hy në grevë me qëllim që k……….. që i kam suspendu prej punës, me kërkesë që ata t`i kthej në punë. Ata janë suspendu për 6 muaj”, tha Abdurrahmani.

Sipas tij për personat e suspenduar duhet të zhvillohet procedurë para komisionit disiplinor që është paraparë të mbahet në muajin shkurt.

“Ata t`u nejt në shpi i marrin 50 për qind të pagës e këta shokët e tyre që janë 7 ose 8 vetë brenda janë hy në grevë, janë blloku s’po donë me punu, duke kërkuar që ata t`i kthej në punë. Ata janë në një procedurë të rregullt që do të zhvillohet në komisionin disiplinor në muajin shkurt dhe do të trajtohet çështja e tyre në detaje. Me automatizëm unë nuk muj m`i çu në punë”, shtoi Abdurrahmani.

Abdurrahmani, tha se pjesa tjetër e minatorëve janë duke punuar dhe është duke u prodhuarme  trend pozitiv.

“Të tjerët janë krejt në punë e keni parasysh mbi 100 punëtorë të gjithë janë në minierë t`u punu dhe janë mbi 300 të tjerë mbi sipërfaqe që punojnë janë duke e kryer punën në rregull dhe është duke u prodhuar me një trend pozitiv të prodhimit”, njoftoi ai.

Edhe Nexhat Dedia, u.d. drejtor i minierës në Stan Tërg e ka konfirmuar grevën.

Ai tha për KALLXO.com se në grevë kanë hyrë 82 punëtorë me kërkesën që të kthehen në punë punëtorët e larguar nga puna.

“Siç na kanë njoftuar, është një grevë për disa punëtorë që u patën larguar nga puna më herët. Greva është në horizotin e dhjetë dhe janë 82 minatorë. Kërkesa e tyre është që ata që janë largu me u rikthy në punë. Unë ende si kam taku sepse nuk është që ka qenë në dorën time, është çështje e tyre greva dhe ata kanë të drejtë”, përfundoi ai.

KALLXO.com kishte siguruar vendimin me të cilin 7 punëtorë ishin larguar nga puna.

Të larguarit përkohësisht janë ish-kryeshefi, Rafet Ibishi, Zenel Ibishi, Rrahman Latifi, Shefki Rama, Bajram Sadiku, Bajram Istrefi dhe Burim Hajdari.

“Largohen përkohësisht nga puna për shkak se më datën 18.10.2021 kanë bërë shkelje të rënd të detyrave të punës nga neni 10 – paragrafi 1 nën paragraf 1.8, 1.16, 1.44 dhe 1.52 i rregullores për përgjegjësisë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepçës Sh. A, ku  më datë 18.10.2021 rreth orës 10:00 në zyrën time të Kryeshefit Ekzekutiv të Trepcës jam sulmuar fizikisht nga ana e tyre. Pastaj punëtorët Zenel Ibishi, Shefki Rama, Bajram Sadiku, Bajram Istrefi dhe Burim Hajdari gjatë daljes në korridor e kanë sulmuar fizikisht edhe drejtorin e administratës z. Besim Haxhiu”, thuhet në vendim.

Incidenti në “Trepçë”, 7 persona largohen përkohësisht nga puna