Korrupsioni - Foto: REL/Shutterstock

Disa kryetar komunash dhe 151 zyrtarë, nën llupën hetuese të Prokurorisë për korrupsion

Kryetar të Komunave dhe zyrtarë të rajonit të Mitrovicës, janë duke u hetuar për vepra korruptive nga prokuroria e Mitrovicës.

Këtë e bëri të ditur kryeprokurori Ismet Ujkani gjatë intervistës për emisionin KallxoPernime.

“Lëndë të natyrës së korrupsionit për momentin i kemi të evidentuara 83, me 151 persona. Ka persona të ndryshëm në pozita të ndryshme, duke përfshirë kryetar të Komunave dhe persona të tjerë që janë në pozita të caktuara në organe të ndryshme”, tha kryeprokurori.

Ujkani tha se në mesin e kryetarëve të Komunave që po hetohen, ka të nacionaliteteve të ndryshme.

“Për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, deklaroi ai.

Përpos korrupsionit gjatë intervistës kryeprokurori i ri deklaroi se objektiv i tij përpos korrupsionit do të jetë edhe luftimi i kontrabandës.

“Kontrabanda po vazhdon dhe prioritet i joni është luftimi i saj. Kjo dukuri është e shprehur dhe ushqimet e kontrabanduara shpesh herë janë të skaduara e po ashtu edhe barnat e që rrezikojnë drejtpërdrejtë shëndetin e njerëzve”, ka thënë Ujkani.

I pyetur nëse është në dijeni se kush po e kontrollon kontrabandën në veri, kryeprokurori tha se nuk ka ndonjë njohuri deri me tani.

Sipas Ujkanit kontrabaduesit po vazhdojnë t’i përdorin rrugët alternative për ta kontrabanduar mallrat.

Ismet Ujkani u zgjodh kryeprokuror i ri i Mitrovicës në dhjetor të vitit 2020.

Ai u emërua në pozitën e kreut të prokurorisë në Mitrovicë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe nuk kishte asnjë kundër kandidat për këtë pozitë.

Intervistën e plotë me kryeprokurorin Ujkani mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.