Diplomimi digjital i 42 gazetarëve të rinj

Fetije Kamberi nga Presheva është njëra nga 42 studentët të cilët kanë diplomuar online në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në gradën Bachelor.

Studimet të cilat Fetija i kishte filluar në vitin 2017 në bankat e fakultetit dhe larg familjes, së bashku me kolegët e saj i ka përfunduar në shtëpi me leksionet e mbajtura nga profesorët me anë të teknologjisë, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19.

Ajo tregon se studimet pran familjes në fillim ishin një përvojë e mirë, por që pastaj ishte shndërruar në monotoni.

“Në fillim ishte shumë mirë, sepse afër njerëzve të zemrës studioje dhe ishte një ndryshim që nuk e kisha provuar më parë, por meqë pandemia zgjati shumë u bë monotone dhe më mungonte fakulteti të isha atje, sepse sado që çdo ditë shiheshim me kamerë me profesorët dhe kolegët nuk ishte ndejsia e njejtë si kur takoheshim fizikisht”, thotë Fetija.

Mësimi në klasa i ndërprerë më 12 mars kishte rifilluar menjëherë në javën e parë përmes grupeve të cilat ishin krijuar nga profersoët dhe studentët, pastaj për të vazhduar takimet online në platformat si ‘Google Meet’.

Duke uruar së pari për shëndetin, studentja Fetije Kamberi tregon se si kishte planifikuar ceremoninë e diplomimit.

“Diplomimin e kisha planifikur të jetë në fakultet pranë profesorëve dhe kolegëve, në ceromoni të ishin pjesë familja ime dhe shoqëria, sepse nuk e besoja që pandemia do të na prishë edhe këtë plan. Kishim planifikuar që pastaj të festojmë, por edhe online i’a dolëm shumë mirë gëzimi ishte i njejtë”, tregon ajo.

Profesori i gazetarisë, Alban Zeneli duke uruar studentët për diplomimin, u ka thënë se ata janë gjenerata e cila po transformojnë jo vetëm mësimin por edhe gazetarinë.

“Mund të them se kjo është ceremonia më e pazakont të cilin e ka organizuar Deparatmeni i Gazetarisë që nga egzistimi i këtij departamenti në vitin 2005”, ka thënë Zeneli.

Ndërsa, Shefi i Deparatmentit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri, ka falënderuar studentët dhe inkurajuar që të vazhdojn studimet më tutje.

“Ky është vetëm fillimi i një faze të re. Nuk ka asgjë më fisnike se gazetaria e mirë dhe nuk ka asgjë më humane kur ajo përmbush misionin e saj”, është shprehur Jahiri.

Kjo është gjenerata e 13 e diplomuar në Departamentin e Gazetarisë, ndërsa gjenerata e parë e cila ka diplomuar online.