Diplomati rus jep dorëheqje për shkak të pushtimit të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se Vladimir Putin është i vetmi zyrtar rus me të cilin ishte i gatshëm të takohet për të diskutuar se si t’i jepet fund luftës.

“Presidenti i Federatës Ruse vendos gjithçka,” tha ai në një video-fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. “Nuk mund të pranoj asnjë lloj takimi me dikë që vjen nga Federata Ruse përveç presidentit”.

Një diplomat veteran rus në Gjenevë ka dhënë dorëheqjen për pushtimin e Ukrainës, në një protestë të rrallë politike nga brenda institucionit të politikës së jashtme ruse. Boris Bondarev, këshilltar në misionin e përhershëm rus në OKB në Gjenevë, shkroi në një deklaratë publike: “Kurrë nuk kam pasur kaq turp për vendin tim” dhe ka  konfirmuar se e ka dorëzuar letrën e dorëheqjes.

Një gjykatë në Kiev e ka dënuar një ushtar rus me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili ukrainas, në vendimin e parë në një gjyq lidhur me krimet e luftës nga ushtria ruse gjatë pushtimit të saj në Ukrainë. Vadim Shishimarin, rreshter 21-vjeçar, u shpall fajtor për vrasjen e 62-vjeçarit Oleksandr Shelipov në rajonin Sumy gjatë ditëve të para të pushtimit.

Prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha se deri të hënën janë hetuar rreth 13,000 raste të krimeve të dyshuara ruse të luftës. 48 ushtarë të tjerë rusë do të përballeshin me gjyqe për krime lufte, tha ajo, dhe zyrtarët ukrainas kanë një listë me rreth 600 të dyshuar që mendohet se janë përfshirë në krime lufte.

Njëzet vende njoftuan paketa të reja të ndihmës për sigurinë dhe ranë dakord të dërgojnë armë më të avancuara në Ukrainë, duke përfshirë një lansues Harpoon dhe raketa për të mbrojtur bregdetin e saj, tha Lloyd Austin, sekretari i mbrojtjes i SHBA. Paketat e reja të sigurisë përfshijnë “municione artilerie të nevojshme kritike, sisteme të mbrojtjes bregdetare dhe tanke dhe automjete të tjera të blinduara”.

Danimarka u zotua të dërgojë raketa anti-anije Harpoon që mund të përdoren për ta larguar marinën ruse nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, duke lejuar rifillimin e eksporteve të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore.

Volodymyr Zelenskiy i kërkoi perëndimit t’i intensifikojë sanksionet e tij ekonomike kundër Rusisë, ndërkohë që shtoi se liderët e biznesit në Davos duhet të vendosin nëse “forca brutale” duhet ta sundojë botën. Në një video-fjalim kryesor në Forumin Ekonomik Botëror, Zelenskiy bëri thirrje për një embargo të plotë të naftës, shkëputjen e bankave ruse nga sistemi financiar global, izolimin e plotë të sektorit rus të IT dhe ndalimin e tregtisë me Rusinë.

Bashkimi Evropian ka të ngjarë të bjerë dakord për një embargo ndaj importeve të naftës ruse “brenda ditësh”, tha të hënën ministri gjerman i ekonomisë. Robert Habeck i tha gjithashtu transmetuesit gjerman ZDF se Komisioni Evropian dhe SHBA po punonjnë mbi një propozim për të kufizuar çmimet globale të naftës në vend që të paguanin “çdo çmim”.

Zelenskiy ka dhënë një pasqyrë të nivelit të humbjeve të pësuara nga forcat ukrainase në Donbas, duke thënë se nga 50 deri në 100 ukrainas mund të vdesin çdo ditë.  

Gati 90 persona u vranë në një sulm ajror rus në fshatin Desna në rajonin verior të Ukrainës, Chernihiv, sipas Zelenskiy. Autoritetet ukrainase thanë se tetë persona u vranë në sulmin, i cili u zhvillua të martën e kaluar. Kjo shifër e dhënë nga Zelenskiy pas sulmit në Desna mund të jetë numri më i madh i vdekjeve ushtarake të Ukrainës në një sulm të vetëm të luftës deri më tani.

Luftëtarët ukrainas që u dorëzuan në fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit do të dalin në gjyq, tha kreu i rajonit separatist të Donetskut, Denis Pushilin, për mediat shtetërore ruse. Nuk është e qartë se me çfarë akuzash do të përballeshin ushtarët.

Lufta në Ukrainë mund ta shkaktojë një recesion në ekonomitë më të dobëta, ka paralajmëruar kreu i FMN-së. Kristalina Georgieva parashikoi se viti 2022 do të jetë një vit i vështirë dhe nuk pranoi ta përjashtonte një recesion global nëse kushtet përkeqësoheshin ndjeshëm.

Pamjet e reja satelitore thuhet se tregojnë vjedhjen ruse të grurit ukrainas. Fotografitë e publikuara nga Maxar Technologies me sa duket mbështesin pretendimet e Zelenskiy se ushqimi ishte vjedhur gradualisht nga Ukraina, ka raportuar CNN. Në fotot, të marra nga 19 dhe 21 maj, dy anije transportuese me shumicë me flamuj rus mund të shihen duke ngarkuar grurë nga kapanonet e grurit ku janë ankoruar.

Starbucks po largohet nga tregu rus, duke i dhënë fund afro 15 viteve të biznesit atje. Kompania e kafesë me bazë në Seattle ka 130 dyqane dhe afro 2000 punonjës në Rusi. Mcdonald’s po tërhiqet gjithashtu, duke i larguar “harqet e arta” nga Moska përpara se të largohet përgjithmonë./The Guardian