Flamuri i Bashkimit Europian - Foto: REL

Diplomatët e BE-së kërkojnë formimin e shpejtë të qeverisë në Kosovë

Shefja e  së Zyrës së BE-së, Përfaqësuesja e Posaçme të BE-së, EULEX-it dhe shefat të Misioneve të BE-së në Kosovë kanë kërkuar nga partitë fituese që të arrijnë sa më shpejtë konsensusin për formimin e qeverisë së re.

“Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura’, thuhet në komunikatën e zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas tyre janë çështjet si reformat në zhvillim ekonomik, sundimi i ligjit, MSA dhe dialogu të cilat duhet të trajtohen me urgjencë.

“Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja”, thuhet tutje.

Për ti quar përpara këto procese, sipas BE-së duhet formimi i qeverisë së re.

“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në reagim.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para e pasuar nga LDK-ja, këto dy parti janë dakorduar parimisht për formimin e koalicionit, mirëpo përveç harmonizimit të programit, marrëveshja për koalicion nuk është duke u nënshkruar për shkak të mosmarrëveshjeve që këto dy parti kanë për postin e presidentit si dhe ndarjen e ministrive.

Mustafa: Nëse LVV zotohet të na mbështesë për presidentin, LDK heq dorë nga një ministri

 

Haxhiu: LDK do gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër, jo faleminderit