Dilemat ‘mbitokësore’ për parkingun nëntokësor

Çmimi më i lirë për parkim ishte kriteri përcaktues për përzgjedhjen e konsorciumit “Parking Center” për ndërtimin e parkingut nëntokësor në qendër të Prishtinës. Por, ende pa u inauguruar projekti, çmimet u shtrenjtuan.

Në kontratën e nënshkruar në vitin 2019, konsorciumi dhe Komuna e Prishtinës ishin pajtuar që çmimi për parking të një veture për një orë të ishte 0.80 Euro, ndërsa tash ky çmim është bërë 1 euro apo një rritje prej 25%. Ka raste kur çmimi për parking është rritur deri në 50%.  

“Parking Center” është një konsorcium me aksionarë: Pessina Costruzioni S.P.A, Jaha Company & Pessina Gestioni S.r.i, e cila ishte kontraktuar në vitin 2019 në kohën kur Komuna qeverisej nga Shpend Ahmeti.

I gjithë investimi në 1.4 hektar tokë të Komunës, në qendër të kryeqytetit, kap vlerën mbi 10 milionë euro nga xhepi i kompanisë private. 15 për qind të të hyrave i takojnë Komunës. Pra, Komuna nuk ka marrë pjesë në asnjë pjesë të investimit përveç dhënies së pronës për 35 vite.

KALLXO.com ka analizuar kontratën e plotë për parkingun nëntokësor te kampusi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila mban datën 30 shtator 2019 mes Komunës së Prishtinës dhe “Parking Center”.

Çmimet e parkimit sipas kontratës së vitit 2019 janë më të ulëta në krahasim me ato që po prezantohen sot.

80 centë ka qenë e paraparë të kushtojë një orë qëndrimi, përderisa sot është 1 euro, pra 20 centë më shtrenjtë. 

Sipas kontratës së nënshkruar më 2019, për 12 orë qëndrim, çmimi ishte përcaktuar për të qenë 6 euro. Me çmimoren e tanishme që është vendosur në disa pjesë të parkingut nëntokësor, çmimet variojnë nga 15 euro dita deri në 2,500 euro abonimi vjetor.

 

Sipas kontratës, përkatësisht në shtojcën 9 të saj, thuhet se tarifat e rregulluara do të indeksohen një herë në 3 vjet, me indeksin e akulumuar të inflacionit, siç publikohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. 

Gjithashtu theksohet se çfarëdo ndryshimi i tarifave të rregulluara do të bëhet me pajtimin e dy palëve (Komunës së Prishtinës dhe “Parking Center”).

Derisa punimet ishin drejt fundit, pak ditë para se të hapej, palët ishin thirrur në këtë pjesë të kontratës dhe kishin realizuar një aneks-kontratë që do t’i lejonte kompanisë lëvizjen e çmimeve. 

Edhe nga Komuna edhe nga kompania, ngritjen e çmimeve e arsyetojnë me normën e inflacionit. 

Të dhënat e fundit të ASK-së tregojnë se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.7 për qind në muajin tetor 2022, krahasuar me muajin tetor 2021. 

Me inflacion kuptohet rritja e vazhdueshme e çmimeve të përgjithshme, kur blihen më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi të mjeteve sesa para zhvlerësimit.

Sipas arsyetimit të Komunës, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe shtojnë se duke marrë parasysh “investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”.

“Gjithsesi, qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – Qendra, dhe Komuna e Prishtinës inkurajon ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës” – thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinë të shpërndarë më 10 nëntor 2022.

Derisa, nga Komuna e Prishtinës nuk kanë dhënë detaje të hollësishme për procesin e rritjes së çmimeve, nga kompania “Parking Centër” kanë treguar se tashmë ekziston një aneks-kontratë, e nënshkruar rishtazi nga palët. 

Korab Fazliu, drejtori i “Parking Center”, tha për KALLXO.com se para dy javësh kanë nënshkruar një aneks-kontratë me Komunën e Prishtinës, e cila, sipas tij, parasheh ndryshimet në çmimore. 

Njësoj si Komuna, edhe Fazliu thotë se çmimet janë ngritur për shkak të ndryshimeve të përshtatjes me tregun edhe se çmimi i ndërtimit për shkak të inflacionit është ngritur. 

Fazliu thotë se çmimi i lartë për abonim gjashtëmujor dhe vjetor është bërë për arsye që qytetarët t’i shmangen kësaj, sepse, siç thotë ai, qëllimi i parkingut është “shkarkimi i tafikut dhe parkimi i veturave në kohë ditore”. 

“Çmimet ditore janë vendosur në bazë të tregut, çmimi mujor dhe vjetor janë vendosur për t’i shmangur abonimet gjashtëmujore dhe njëvjeçare, për shkak se “Parking Center” nuk është parking i lagjeve, por i kryeqytetit që do të jetë në shërbim për qytetarët e kryeqytetit dhe gjithë Kosovës. Edhe nëse hië nuk kish pasë inflacion, në qendër të Prishtinës ka gjashtë vite që ora është 1 euro” – thotë ai. 

“Nëse e kishim pasë abonimin vjetor 50 euro p.sh. maksimalisht i gjithë parkingu kish me qenë i zenë. Ne e kemi metodën që nese dikush e bën abonimin 1-vjecar, numri speficik është në pronësi të atij qytetari 24 orë, nuk mundemi me llogarit në atë parking më. Çmimet e larta janë pra me iu shmang abonimeve 6-mujore dhe 1-vjeçare” – thotë Fazliu. 

Sipas Fazliut, këto ndryshime të çmimores kanë ardhur pas një dakordimi me Komunën e Prishtinës. 

Aneks-kontrata që parasheh këto rritje është nënshkruar rreth dy javë më parë. 

“E kemi aneks-kontratën me Komunën e Prishtinës që jemi dakorduar për çmimoren e re, për shkak të ndryshimeve ekonomike që kanë ndodhë, e kam nënshkru vet. Kemi vendosur sepse edhe kostoja e ndërtimit na është rritur, kur ka ardhë faza e përfundimit jemi ulur dhe e kemi diskutuar me Komunën, kemi ardhë në përfundim që edhe parkingu jonë duhet t’i ketë çmimet sikurse parkingjet e tjera në qendër të Prishtinës” – tha Fazliu.

Por ai thotë se çmimet mund të ndryshojnë edhe në të ardhmen dhe kjo, sipas tij, varet nga bashkëpunimi me Komunën. 

“Kemi pasur ofertën më të lirë kur kemi aplikuar sa i përket ditores, nëse nuk gaboj ka qenë rreth 80 centë. “Parking Prishtina” e menaxhon këtë pjesën mbrapa katedrales, ka një kohë të gjatë që parkingu është 1 euro, pra nëse ne e kemi 80 centë ateherë ne i bëjmë konkurrencë ‘Parking Prishtinës’” – deklarohet Korab Fazliu, drejtor i Parking Center. 

Më 15 nëntor, KALLXO.com ka dërguar në Komunën e Prishtinës kërkesë për qasje në këtë ankes-kontratë dhe është në pritje të përgjigjes.

Dyshimet për devijim të kontratës 

“E patëm nis për parking nëntokësor, na paska dalë shopping mbitokësor” – është shprehur disa ditë më parë ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.

Pacolli, i cili kishte shërbyer si numri dy i Komunës së Prishtinës deri para zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 2021, ka ironizuar me faktin për hapjen e lokaleve afariste duke e quajtur “shoping mbitokësor”.

Sipas kontratës që është nënshkruar në vitin 2019, thuhet se lejohet ndërtimi i objekteve afariste nëntokësore por vetëm nën kuotën 0.00, por se detyrimisht projekti duhet të përfshijë 500 vend-parkingje nga 25 metra katrorë. 

Kuota 0.00 e projektit është paraparë të jetë në këndin afër udhëkryqit të rrugëve “Eqrem Çabej” dhe “George Bush” dhe se hapësirat afariste nuk mund të tejkalojnë kuotën 0.00. 

Sipas kontratës, te shtojca 2 e saj, thuhet se sipërfaqet nën kuotën 0.00 janë në dispozicion për ndërtime afariste. Përfshirja e kësaj zone është opsionale për koncesionarin dhe koncesionari do të ketë fleksibilitetin të shfrytëzojë këto hapësira me kusht që të mos pengojë operimin e hapësirave të parkingut. 

Nga gjendja në terren shihet se në pjesën mbitokësore (sipërfaqësore) të parkingut nëntokësor janë duke vepruar dy lokale afariste. 

Ndërkaq, sipas drejtorit të “Parking Center”, Korab Fazliu, edhe në fillim të kontratës ka qenë e cekur që të jenë dy lokale afariste. 

Sipas tij, pjerrina e terrenit ka mundësuar, dhe se pjesa e gjelbërimit është në të njëjtin nivel sikurse lartësia e lokaleve afariste. 

“Edhe në fillim të kontratës ka qenë e cekur me qenë dy lokale afariste edhe në gjendjen momentale janë dy lokale afariste, pjerrina e terrenit na e ka mundësu me i pasë këto. Pjesa e gjelbërimit është në të njëtin nivel sikurse është lartësia e lokaleve afariste edhe pjesë çdo hapësirë të mundshme jemi mundu me e shfytëzu. Edhe mbi lokale afariste kemi gjelbërim të mbjellë. Për mbi 10 mijë metra katrorë gjelbërim, janë për mbi 5 mijë drunj që na kanë ardhë prej Italisë, janë mbjellë” – tha Fazliu. 

Projekti që parashihte dy lokale afariste

Ish-nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, thotë se në projektin e realizuar nuk ka parë asnjë hapësirë të destinuar për t’u vendosur shtatorja e Anton Çettës, ashtu siç ishte paraparë me kontratën e vitit 2019. 

Anton Çetta njihet si mbledhës i folklorit, profesor i letërsisë dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Ai ishte vënë në ballë të lëvizjes së pajtimit të gjaqeve, kur ishin pajtuar mbi 1,500 familje.

Para se të fillojnë punimet për ta shndërruar oborrin e UP-së në parking, në atë hapësirë ka qenë e vendosur shtatorja e Fehmi Aganit. 

Fehmi Agani ka qenë sociolog dhe politikan i Kosovës, njëri prej themeluesve të LDK-së.

Përderisa, ish-qeverisja e Shpend Ahmetit thotë se në plan ka qenë që të vendoset shtatorja e Anton Çettës, qeverisja aktuale e kryeqytetit thotë se ka plan që t’i vendosë të dy. 

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, thotë se janë duke biseduar që përmes një cermonie të bëhet inaugurimi i të dy shtatoreve – e Anton Çettës dhe e Fehmi Aganit.

“Do të bëjmë një hapje solemne për të dy shtatoret – Fehmi Agani dhe Anton Çetta, jemi duke diskutuar për datën” – ka bërë të ditur Zogaj për KALLXO.com. 

Ky parking në kontratë ka paraparë minimumin për 500 parkingje. Aktualisht llogariten të jenë mbi 700. 

“Parking Center” e ka të huazuar pronën për 35 vite dhe të gjitha investimet i takojnë atyre. Sipas kontratës së vitit 2019, Komuna e Prishtinës merr vetëm 15 për qind të të hyrave. 

Me rritjen e çmimeve të parkingut, nuk ndryshojnë obligimet ndaj Komunës.

“Në kontratën që e kemi me komunën e Prishtinës, nuk ka ndonjë ndryshim, tokën e kemi të huazuar për 35 vite. Ndërtimin e kemi bërë ne, të gjithë koston që ka përfshirë ndërtimi e kemi bërë ne, pra mbi 10 milionë euro kemi investu. Në bazë të kontratës, Komuna i merr çdo vit 15 për qind të fitimit” – thotë drejtori i “Parking Center”, Korab Fazliu në përgjigjen për KALLXO.com.

“Pra s’ka rritje, sepse është llogaritur që është rritur kostoja e ndërtimit. Përveç asaj, nën menaxhimin tim i kam 20 persona që kanë me punu 24 orë, edhe koston e tyre e kemi ne si kompani. Nëse e llogarisim 1 euro orën, prej 1 euro qëndrim, 18 për qind shkon TVSH, 15 për qind shkon tek Komuna, çka po na mbesin neve – rreth 60 për qind” – shton ai.

“Publikja u takon studentëve”

Duke kërkuar që të kthehen hapësirat e gjelbra në pronën e Universitetit, organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka hedhur ngjyrë në bizneset e hapura brenda kësaj zone.

Përmes këtij veprimi, kjo organizatë më 10 nëntor i ka bërë thirrje Komunës që të kthejë pronën e cila është e destinuar për studentë e “jo përfitim të bizneseve”.

Në pjesën e platosë po ashtu ishte vënë mbishkrimi “Publikja ju takon studentëve”. Sepse, sipas aktivistëve, aty ku sot janë bizneset private dhe një parking, dikur ishte një park publik.

Më 10 nëntor 2022, edhe aktivistët e Lëvizjes Studentore “Studim Kritikë Veprim” nëpërmjet një aksioni simbolik kundërshtuan siç e quajnë ata, vazhdimin e uzurpimit të kampusit universitar.

“S’është hera e parë që po uzurpohet hapësira publike e veçanërisht oborri universitar” – ka thënë deputeti i Parlamentit Studentor nga radhët e SKV-së, Kledi Kabashi.

Pamje nga droni KALLXO.com

13 mijë e 990 metra katrorë është paraparë të jetë hapësira gjelbëruese dhe krahas kësaj 5 mijë drunj është paralajmëruar të mbillen.  

Drejtori i “Parking Center”, Korab Fazliu thotë se në fillim të projektit ka qenë një plan tjetër i gjelbërimit. 

Sipas tij, kryetari aktual, Përparim Rama ka kërkuar disa ndryshime në këtë pjesë. 

Fazliu thotë se planin që kishin dërguar ata si kompani nuk i kishte pëlqyer kryetarit Rama dhe se shton se më pas ai [Përparim Rama] kishte marrë përsipër që ta rregullojë. 

Sipas Fazliut, qëllimi i kryetarit Rama ka qenë që të ketë pamje më atraktive. 

“Në fillim të projektit ka qenë një plan tjetër i gjelbërimit. Pas ardhjes së Përparim Ramës, ka kërkuar ndryshime të planit të gjelbërimit, kjo na ka marrë kohë përafaërsisht dy muaj, ia kemi dërgu planin e ri Përparim Ramës, nuk i ka pëlqy, pastaj e ka marrë vetë përsipër ai për ta përfunduar planin, si arkitekt. Qëllimi i tij ka qenë që mos të jetë thjesht një pjesë e gjlbërimit me shtigje, por të ketë një pamje atraktike, më bukur që të jetë e mundur dhe ka arritur që ta realizojë” – u shpreh Fazliu.

Ai thotë se përmes fuqisë punëotre të kompanive të specializuara italiane kanë bërë mbjelljen e drunjve dhe se shtojnë se çdo gjë ka qenë në mbikëqyrje të ekipit italian.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje nga kryetari Përparim Rama lidhur me ndryshimet që ai ka bërë në këtë plan, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është përgjigjur.

Kurse, nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, ka konfirmuar për KALLXO.com se plani ka përfshirë gjelbërim më shumë – drunj. 

Ai thotë se ka qenë e planfikuar një pjesë për skateboard por që është larguar. 

Pamje të projektit ishin publikuar nga ish-kryetari Shpend Ahmeti. Ndërtimi i këtij parkingu ishte edhe një nga 100 premtimet e ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Shpend Ahmetin por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. 

Një reagim tjetër lidhur me këtë projekt pati edhe partia më e madhe opozitare në Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje. 

Në reagim, më 9 nëntor 2022, ata kanë krahasur çmimet e tanishme më ato të kontratës së nënshkruar në vitin 2019. 

“Në këtë rast është evidente se kemi të bëjmë me shkelje të kontratës nga ana e operatorit privat dhe miratim në heshtje nga ana e organeve komunale, konkretisht kryetari Rama dhe kabineti i tij” – thuhet mes tjerash në postimin e LVV-së. 

Në fund të muajit nëntor 2022, pritet inaugurimi i parkingut nëntokësor të parë me kontratë të natyrës partneritetit publiko-privat. 

Puna në parking dhe në dy lokalet afariste ka filluar por aktualisht janë duke vazhduar punimet në hapësirën gjelbëruese.