Dikur pjesë e VV-së, Gent Cakaj e quan Glauk Konjufcën "mik personal"

Në fjalën e tij hyrëse Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e ka uruar ish-bashkpartiakun, tani homologun e tij Glauk Konjufcën.

“Mirë se ju gjej të gjithëve në vendlindjen time. Fillimisht dua ta falënderoj ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Z. Glauk Konjufca, e mikun tim personal për mirëpritjen shumë zemërgjerë dhe bisedën e vyer që zhvilluam në Prishtinë,” tha ai.

Cakaj i uroi shumë suksese Konjufcës duke ia rikujtuar përgjegjësinë e madhe që tani ai ka mbi supe.

“Unë edhe një herë i përcjell urimet më të sinqerta për sukseset e panumërta në këtë detyrë dhe mbarësi të shumta në përgjegjësinë madhore të mbanë mbi supe,” tha tutje ai.

Sipas Cakajt puna e Konjufcës në rrethanat ekzistuese ‘është thelbësore në formimin e mëtejmë ndërkombëtarë në pozicionin e Kosovës’.

Konjufca dhe Cakaj njihen shumë vite më parë, kur që të dy ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, rrugëtimi në Vetëvendosje i Cakajt kishte përfunduar vite më parë kur ishte larguar nga kjo parti.

Kur Edi Rama kishte vendosur të emërojë Gent Cakajn si ministër të Punëve të Jashtme, Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media kishte reaguar ashpër, duke e quajtur të pavend këtë emërim.