Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Dikur bastion i LDK-së, udhëhiqet nga AAK, fiton Vetëvendosje në Suharekë

Ku janë numëruar mbi 99% e votave në Kosovë, rezultatet preliminare tashmë i kanë renditur partitë politike në bazë të numrit të votave të fituara. Një renditje e tillë është bërë edhe në Komunën e Suharekës.

Në këtë Komunë, që dikur ishte bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e që në nivel lokal udhëhiqet nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Zgjedhjet e së dielës për Kuvendin e Kosovës fitoi Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje në Suharekë e cila ka grumbulluar 8,712 vota, apo 34.32%, është renditur partia e parë; LDK renditet e dyta, me 6,876 vota, apo 27.08%; në vendin e tretë AAK, me 4,680 vota, apo 18.43%; ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës grumbulloi 4,609 vota, apo 18.15%, duke u renditur partia e katërt.

Burmi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ]
Burmi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)
Edhe në Zgjedhjet e vitit 2021, partia e parë në këtë Komunë ishte Vetëvendosje, me gjithsej 11,843 vota, apo 41.14%, që rezulton me mbi 3,131 vota më shumë sesa në këto Zgjedhje; AAK partia e dytë, me 5,366 vota, apo 18.64%, pastaj LDK, me 5,249 vota, apo 18.23% dhe PDK në pozitën e katërt, me 4,787 vota, apo 16.63%.

Kujtojmë se numri i qytetarëve me të drejtë vote në Komunën e Suharekës është 68,101 qytetarë, në 34 Qendra të Votimit, me gjithsej 87 vendvotime dhe një Qendër e Vendvotimit me kusht. Këtë të drejtë, të dielën e 9 shkurtit 2025, e shfrytëzuan 38.86% e tyre, apo 24,463 qytetarë.

Qendrat e Votimit në Suharekë janë hapur me kohë. Kjo u konfirmua ditën e djeshme nga Zyrtari Komunal i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Suharekë, Skender Qelaj. Për KALLXO.com, Qelaj ka thënë se materialet janë pranuar dhe shpërndarë me kohë. Me kohë janë hapur edhe Qendrat e votimit.

Lidhur me mbarëvajtjen e Zgjedhjeve në këtë rajon, KALLXO.com ka mbajtur kontakte me Policinë e Kosovës për Rajonin e Prizrenit. Sipas zëdhënësit të Policisë, Vesel Gashi, në Rajonin e Prizrenit ku bën pjesë edhe Komuna e Suharekës, nuk është shënuar ndonjë rast.

“Prej momentit kur janë hapur deri më tani, nuk kemi pasur asnjë rast.“ – pati thënë Gashi.

Ndryshe, në nivel të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje prin me 339,350 vota të grumbulluara, apo 40.83%; në vendin e dytë PDK, me 184,087 vota, apo 22.15%; në vendin e tretë LDK, me 146,241 vota, apo 17.59%; AAK në pozitën e katërt, me gjithsej 62,066 vota, apo 7.47 %. Më pas renditen partitë e tjera me numër dhe përqindje më të vogël të votave.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.