Qeveria e Kosovës

Dije Rizvanolli emërohet përfaqësuese në Këshillin Administrativ të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës

Dije Rizvanolli është emëruar përfaqësuese në Këshillin Administrativ të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, sot nga Qeveria e Kosovës.

Hekuran Murati, Ministër i Financave, ka propozuar para kabinetit qeveritar që Rizvanolli të emërohet në këtë pozitë.

Murati tha se kjo është pikë shtesë në rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë, pasi Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kjo pikë shtesë e rendit të ditës ka të bëjë me emërimin e përfaqësuesit në Këshillin Administrativ të Bankës Zhvillimore te Këshillit të Evropës. Tani që kemi aplikua për anëtarësim në KE ne veç se jeni anëtar në Bankën Zhvillimore dhe marrë parasysh që kemi raporte të mira me këtë bankë pra duhet ta vazhdojmë edhe anëtarësimin ose përfaqësuesin në Këshillin Administrativ të kësaj banke në mënyrë që të përfaqësohemi sa më mirë”, tha Murati.

Javën e kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.