Foto: REL/Shutterstock

Digjitalizohet Kosova, sivjet mbi 96% e familjeve “online” në internet

Me telefona mobile e pajisje të tjera, mbi 96 pë qind e familjeve në Kosovë, kishin qasje në internet këtë vit. Ndryshe nga këto familje, mbi 2 për qind nuk patën qasje ndërsa rreth 2 për qind të tjera nuk ishin në dijeni.

Rezultatet e dala nga anketa e përdorimit të teknologjisë informative dhe komunikimit, bëjnë të ditur se në vitin 2021, ekonomitë familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisje, prej 96.1 për qind, ndërsa 2.1 për qind e ekonomive familjare janë deklaruar se nuk  kanë pasur qasje në internet nga asnjë lloj pajisje.

Sipas anketës, në raport me të dhënat e vitit 2020, vërehet një rënie pre 0.3 për qind. Në vitin 2020 ishte 96.4 për qind.

Qasja në internet u bë përmes telefonit dhe pajisjeve tjera.

“Qasja në internet kryesisht ka qenë nga telefoni celular, pasuar nga kompjuteri desktop, laptop, tablet etj”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, përdorimi i internetit për të blerë ose porositur mallra dhe shërbime përmes internetit ishte 23.1 për qind, tre muaj para intervistës.

Ekonomia familjare përfshinë të gjithë personat që jetojnë në një shtëpi apo banesë të përbashkët dhe që kanë të përbashkëta mjetet kryesore të jetesës.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura përmes publikimit të rezultateve të Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) për vitin 2021.

Ky publikim ofron të dhëna për shfrytëzimin e teknologjisë informative dhe komunikimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës nga ekonomitë familjare dhe individët e kategorisë 16-74 vjeç.