
Kandidati i PDK-së për deputet, Betim Gjoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Digjitalizim dhe Gjykatë të Punës: Zotimet e PDK-së për reforma në Sistemin e Drejtësisë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në emisionin “Debat Përnime”, ka prezantuar një pjesë të Programit të saj zgjedhor për fushën e Drejtësisë, që pretendon ta realizojë brenda mandatit katërvjeçar – nëse e merr drejtimin e Qeverisë.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Përparim Gruda tha se në Programin e tyre kanë paraparë reformimin e Drejtësisë, në funksion të arritjes së dy qëllimeve themelore.
“E para është vënia në funksion e zhvillimit ekonomik. Drejtësia mund të vihet në funksion të ekonomisë përmes shtimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu që të zgjidhen lëndët më shpejt dhe e dyta: mbrojta e drejtave dhe lirive të njeriut.” – ka theksuar Gruda.
Në kuadër të reformimit të Sistemit të Drejtësisë, sipas tij, PDK-ja ka paraparë edhe digjitalizimin e këtij Sistemi.
Themelimi i Gjykatës së Punës është premtimi tjetër i PDK-së.
“Themelimi i Gjykatës së Punës, të cilën do ta bëjmë një ligj të veçantë, ashtu që njerëzit të mos presin gjatë për të fituar të drejtën për marrëdhënie pune.” – ka thënë Gruda.
Ndërkaq, kandidati tjetër Betim Gjoshi tha se me qeverisjen e PDK-së, Drejtësisë do t’i ofrohen të gjitha mundësitë që ajo me kry rolin e saj. Kjo, sipas tij, do të bëhet duke ndarë buxhet të mjaftueshëm dhe duke siguruar që Ministri i Drejtësisë nuk do përfshihet në vendimet e Drejtësisë.
Gjoshi përmendi edhe listën e kandidatëve të përzgjedhur nga PDK-ja për të garuar në Zgjedhjet qendrore, duke siguruar se asnjëri nga kandidatët për deputetë nuk kanë problem me ligjin.
“Listën prej 110 kandidatëve të cilën e kryeson Bedri Hamza jemi munduar ta krijojmë me një standard, që do duhej ta ndiqnin edhe subjektet e tjera. Jemi munduar që mos me pasë asnjë njeri me akuza e me probleme me ligjin.” – tha Gjoshi.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
Premtimet e PDK-së për reforma në drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës