Digjet vetura e inspektorit të ndërtimit në Drenas, dyshon se kishte të bënte me punën e tij

Vetura e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi, është djegur në orët e para të mëngjesit.

Veliqi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se dyshon se akti ka të bëjë më punën e tij zyrtare.

Sipas tij, kishte pranuar edhe kërcënime më parë pasi si inspektor i ndërtimit kur kishte shqiptuar gjoba për disa punime.

“Rasti ka ndodhur në orën 03:30, sa kam qenë në gjumë. E kam pasur dritaren hapë, i kam dëgju dukë lëvizë edhe më ka dal gjumi. Në momentin kur kam ndez dritën ata më kanë vërejtur dhe kanë ikë e kanë lëshu benzinën. Kam dalë me ujë e kam ndalë zjarrin e pastaj e kam njoftuar edhe policinë”, ka thënë ai.

“Kam bindjen 99 për qind në disa persona të caktuar po përderisa nuk kam argumente. Janë bërë disa punime e janë shqiptuar gjobë, është ai pikërisht që përmes njerëzve që më ka dërgu kërcënime se kanë më m’bo diçka”, tha Veliqi.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

Vlera e dëmit llogaritet të jetë rreth 1000 euro.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se persona të pa njohur i kanë vënë zjarrin veturës së tij, e cila ishte e parkuar në oborr të shtëpisë. Sipas ankuesit, dyshon se motivi ka të bëjë me detyrën e tij zyrtare. Vlera e dëmit është rreth 1000 euro”, thuhet në raportin policor.

Sipas policisë, rasti është duke u hetuar.

Aktin e ka dënuar Komuna e Drenasit me një postim në rrjetin social “Facebook”.

Kjo Komunë ka ftuar organet e rendit që të zbardhin sa më shpejtë rastin.

“Me shqetësim, Komuna e Drenasit ka marr lajmin për djegien e veturës së inspektorit komunal, Fitim Veliqi në oborrin e shtëpisë së tij”, thuhet në postimin e komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci.

Inspektori i Drenasit akuzohet se nuk rrënoi një varg objektesh pa leje