Ilustrim, Foto: Kossev/Screenshot

Digjet vetura e deputetit të Listës Serbe në Leposaviq

Vetura private e deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, është përfshirë nga flakët në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Leposaviq, raporton Kossev.

Simiq është zgjedhur anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka konfirmuar për portalin Kossev se incidenti ka ndodhur rreth orës 00:25 në rrugën “Milan Raduloviq Krcun” në Leposaviq.

“Më 9 janar rreth orës 00:25 në Leposaviq, në rrugën “Milan Raduloviq Krcun” është djegur vetura e markës “Peugeot” bë pronësi të S.S. (1984) me tabela të Mitrovicës i cili ishte parkuar në një garazh të papërfunduar përballë shtëpisë ku banon pronari i veturës”, tha Radoviq.

Kossev raporton se në vend të ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve dhe patrulla e policisë ndërsa zjarri është lokalizuar, por vetura është djegur tërësisht.

Raportohet se dëmi i shkaktuar kap vlerën deri 6 mijë euro.