Digjet një veturë me targa RKS në Zubin Potok
Një qytetari serb i është djegur vetura me targa RKS sot në orët e para të mëngjesit në Komunën e Zubin Potokut.
Policia e Kosovës njofton se informacionin për djegie e kishte pranuar përmes telefonit.
“Policia e Kosovës, me datën 02.11.2022, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”- njofton Policia.
Sipas njoftimit, njësitet relevante nga stacioni policor në Zubin Potok kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve.
“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes”- bëhet e ditur në njoftim.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS”- thuhet mes tjerash në komunikatë.
Policia ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me forcat e rendit, për ruajtjen e qetësisë publike dhe zbulimin e akteve të tilla.
“Ftojmë të gjithë qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, e cila do të kujdeset në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësve të këtyre veprave kriminale”- thekson Policia.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori një vendim me të cilin përfshiu një periudhë prej 5 muajsh deri në kohën kur vendosja e tabelave me RSK për veturat që qarkullojnë me targa ilegale do të bëhet e obligueshme.
Fillimisht qeveria vendosi që për 21 ditë të bëhej qortimi i qytetarëve të cilët posedonin vetura me targa ilegale, pas kësaj mase për dy muaj të tjerë do të ketë gjobitje, e më pas targa provuese.
Në fletë-qortimet që do tu shqiptohen qytetarëve me tabela ilegale përmendet edhe fakti se të njëjtit udhëzohen që t’i regjistrojnë veturat e tyre në qendrat e regjistrimit të automjeteve.
Masat e fundit të marra në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar Kryeministri Albin Kurti i quajti “seriozitet të qeverisë për të zbatuar vendimin”, por edhe pas “ndjeshmërisë së shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.
Që nga dita e sotme deri më 21 nëntor zyrtarët policor do të qortojnë pronarët e automjeteve me targa ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ që të regjistrojnë veturat e tyre me RKS.