Digjet një shtëpi në Prizren, dëmi llogaritet të jetë rreth 300 mijë euro

Pasditen e së hënës, më 11.11.2024, është djegur një shtëpi në rrugën “Janina” në Prizren,

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, thotë se në bazë të informatave të deritanishme, në këtë rast nuk ka të lënduar, ndërsa zjarri ka përfshirë një shtëpi dhe dëmi material që është shkaktuar, sipas pronarit, është rreth 300 mijë euro. 

Bytyqi ka thënë për KALLXO.com se zjarrëfikësit, patrulla policore dhe ekipi reagues janë në vendin e ngjarjes. 

Tutje ai ka njoftuar se zjarrëfikësit tashmë janë duke e lokalizuar zjarrin.

“Dëmet materiale janë të konsiderueshme. Sipas pronarit rreth 300,000 (treqind mijë) euro. Të lënduar nuk ka. Policia bashkë me ekspertët e zjarrit do të dalin përsëri në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e vendit dhe mbledhjen e dëshmive”- ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.