Djegia e "lodrës" e cila kishte për qëllim ndërgjegjësimin për mbrojtjen e lumenjve, Foto: KALLXO.com
Digjet instalacioni që kishte për qëllim ndërgjegjësimin për ruajtjen e lumenjve
Në orët e mbrëmjes, më 03.12.2024, është djegur ‘gogoli’ që ishte vendosur afër lumit Ibër gjatë ditës.
‘Gogoli’ ishte formësuar nga organizata ‘7 Arte’ nga mbetjet e mbeturinave të mbledhura në lumenjtë e Mitrovicës.
Në mbrëmje (03.12.2024) ekipi i Policisë dhe i Zjarrfikësve u panë në vendin e ngjarjes në parkun “Kej” në Mitrovicë të Jugut.
Shefi i ndërrimit i Zjarrfikësve, Armend Musa, tregoi për KALLXO.com se kanë intervenuar dhe kanë shuar zjarrin.
Në lidhje me këtë kanë reaguar organizata në fjalë (04.12.2024) të cilët potencuan se një grup prej 10 studentësh të përzgjedhur kanë punuar për ideimin dhe ndërtimin e një vepre arti që në thelb të saj shpreh nevojën e mbrojtjes së lumenjve të Mitrovicës.
Ata potencuan se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë në lidhje me djegien e kësaj vepre.
“Organizata kulturore 7Arte shpreh kundërshtinë dhe shqetësimin e saj të madh për këtë akt dhune të kryer ndaj një vepre artistike, me gjasa edhe në keqkuptim të thellë të qëllimit të saj. Ne do t’i drejtohemi organeve kompetente administrative dhe të drejtësisë, deri kur autorët të përgjigjen përballë ligjit”- thuhet në njoftim.
Aktin e dhunshëm të kryer ndaj veprës organizata e cilëson si frikacak.
“Ky akt e bën (edhe pse fatkeqësisht) veprën edhe më të fuqishme, sepse nënvizon sërish se gjuha e artit është e drejtpërdrejtë dhe provokuese, duke gërryer rrënojat e shtresave të mbivendosura paragjykuese të autorëve të vandalizmave të tillë të shëmtuar”.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe policinë për të marr një përgjigje se a ka dyshimtë dhe a ka qenë zjarrvënie e qëllimshme.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorin janë duke trajtuar – mbledhur prova për rastin në fjalë”- thuhet në përgjigjet e Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë të Jugut.